Dy skuadra të Bundesligës, RB Leipzig dhe Stuttgart, kanë shfaqur interes për të transferuar sulmuesin shqiptar të Chelsea-t, Armando Broja, raportoi “The Athletic”.
Të dy klubet gjermane e shohin 23-vjeçarin si zëvendësues të mundshëm për disa largime që mund të ndodhin në merkaton aktuale. Leipzig mund të humbasë Benjamin Sesko-n dhe Xavi Simons, ndërsa Stuttgarti ka refuzuar një ofertë të parë nga Bayern Munich për Nick Woltemade, duke kërkuar alternativa në sulm.
Pas afrimeve të Joao Pedro-s dhe Liam Delap te Chelsea për një total prej 97.2 milionë eurosh, Broja pritet të mbetet jashtë planeve të trajnerit Enzo Maresca për sezonin e ardhshëm. Sezonin 2024/25, Broja e kaloi në huazim te Everton, por mungoi në 11 ndeshje për shkak të dëmtimit dhe luajti vetëm 332 minuta në 10 ndeshje të Premier League, pa arritur të shënojë asnjë gol. Everton vendosi të mos aktivizojë opsionin për blerjen e tij.
Stuttgart kishte tentuar të nënshkruante me Brojën edhe verën e kaluar, duke hapur bisedime me Chelsea-n, por më pas zgjodhi të ndiqte objektiva të tjerë. Nëse transferohet tani, Broja do të shtohej si rezervë për Deniz Undav dhe Ermedin Demirovic, të cilët ende janë pjesë e skuadrës gjermane.
E ardhmja e Brojës mbetet e pasigurt, por interesi nga Bundesliga mund të hapë një mundësi të re për sulmuesin e Kombëtares shqiptare për të rilindur karrierën e tij pas një sezoni zhgënjyes.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: