Goditi me shuplakë dhe e ofendoi Grealish-in, tifozi i Manchester United merr ndëshkimin e merituar

Goditi me shuplakë dhe e ofendoi Grealish-in, tifozi i Manchester United merr ndëshkimin e merituar

09:53, 16/07/2025

Një tifoz i ri i Manchester United ka marrë një ndëshkim të ashpër pas një incidenti të shëmtuar të ndodhur në derbin e Manchesterit të luajtur në prill, në stadiumin “Old Trafford”. Alfie Holt, 20 vjeç, është dënuar me ndalim për tri vite në çdo ndeshje sportive, pasi shau dhe goditi me shuplakë ‘yllin’ e Manchester City-t, Jack Grealish, teksa ky po largohej drejt dhomave të zhveshjes.

Pavarësisht pendesës dhe pranimit të fajit, vendimi i gjykatës ishte i prerë. Holt deklaroi:

“Nuk prisja të më thoshte ato fjalë. Reagova në moment, por u pendova menjëherë.”

Ngjarja ndodhi në përfundim të ndeshjes, në një atmosferë të ndezur nga ofendimet dhe thirrjet e ndërsjella mes tifozërive. Grealish, i ofenduar me fjalën “idiot”, u kthye nga tribuna duke reaguar verbalisht ndaj Holt. Tifozi i revoltuar u përkul nga tribuna dhe e goditi atë me shuplakë, ndërsa e gjithë ngjarja u regjistrua nga një video amatore që u përdor si provë kyçe në gjykatë.

Prokurorja Shazia Aslam theksoi rëndësinë e mbrojtjes së sportistëve:

“Lojtarët janë të pambrojtur në situata të tilla dhe duhet të jenë të mbrojtur nga akte të dhunshme. Holt përdori forcën ndaj një futbollisti, çka është e papranueshme.”

Klubi i Manchester United reagoi menjëherë pas incidentit, duke i revokuar përfundimisht abonimin sezonal të riut Holt, të cilin ai e kishte pasur për 12 vite rresht. Pavarësisht mungesës së precedentëve penalë dhe tentativës për të paraqitur aktin si një reagim impulsiv, gjykata vendosi që ndalimi 3-vjeçar të mbetet në fuqi, si shembull ndëshkues dhe paralajmërim për tifozët e tjerë.

Ky rast ngre sërish pyetjen për sigurinë e sportistëve dhe kufirin mes pasionit sportiv dhe dhunës së pajustifikueshme në stadiume.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco