Shkëndija ka siguruar kualifikimin në raundin e dytë të eliminatoreve të UEFA Champions League, pasi mposhti me shumë mund kampionët e Uellsit, The New Saints FC. Pas një përballjeje dramatike që zgjati 120 minuta, kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 2:1, ndërsa ndeshja e parë kishte përfunduar pa gola (0:0).
Skuadra nga Tetova e nisi ndeshjen më mirë dhe në minutën e 18-të zhbllokoi shifrat me një gol të bukur nga Fabrice Tamba, duke krijuar iluzionin e një mbrëmjeje të qetë. Por gjithçka ndryshoi kur uellsianët, me shumë fat, përfituan nga një devijim dhe Williams barazoi rezultatin në 1-1, duke e çuar ndeshjen në shtesë.
Në minutat shtesë, të dyja skuadrat u munduan, por pa sukses për të gjetur golin e fitores. Atëherë kur gjithçka po i afrohej serisë së penaltive, fati vendosi të buzëqeshë sërish Shkëndijës: në minutën e 116-të, Bodenham shënoi autogol në portën e tij, duke u dhuruar kuqezinjve avantazhin dhe një kualifikim të merituar.
Ky sukses jo vetëm që i kalon tetovarët në raundin tjetër, por edhe u garanton minimalisht edhe gjashtë ndeshje evropiane këtë sezon, pavarësisht ecurisë së mëtejshme.
Ndeshja e radhës:
Shkëndija – FCSB (Rumani) - Shkup, 22 korrik 2025, ora 20:00.
Kuqezinjtë do të kërkojnë një tjetër mbrëmje magjike, këtë herë përballë një kundërshtari me emër dhe përvojë, siç është FCSB-ja rumune.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: