Zyrtare/ Szczesny rinovon me Barcelonën deri në vitin 2027, nuk ka më vend Ter Stegen

Zyrtare/ Szczesny rinovon me Barcelonën deri në vitin 2027, nuk ka më vend Ter Stegen

19:01, 07/07/2025

Wojciech Szczesny do të qëndrojë te Barcelona edhe për dy sezone të tjera. Klubi katalanas zyrtarizoi pasditen e së hënës rinovimin e kontratës me portierin polak deri më 30 qershor 2027, duke përforcuar pozitat në portën ‘blaugrana’ për sezonet në vijim.

35-vjeçari e përfundoi kontratën e mëparshme më 30 qershor, por marrëveshja për vazhdimësinë ishte arritur në mënyrë verbale prej disa javësh. Firmosja u shty për shkak të agjendës së ngjeshur, por tashmë gjithçka është zyrtare me nënshkrimin e kontratës përballë presidentit Joan Laporta.

Szczesny u bashkua me Barçën në mënyrë surprizë pas dëmtimit të rëndë të Marc-André ter Stegen në shtator të vitit të kaluar. Që atëherë, polaku ka dhënë siguri në portë dhe ka fituar besimin e stafit teknik dhe shokëve të skuadrës.

Përveç kontributit në fushë, Szczesny është vlerësuar edhe për atmosferën pozitive që ka sjellë në dhomat e zhveshjes. Ai është konsideruar si një nga figurat më humoristike dhe të dashura të grupit, gjë që e ka bërë të mirëpritur nga të gjithë.

Sipas raportimeve të brendshme nga klubi, Szczesny do të formojë dyshe me Joan Garcia, ndërsa aktualisht shihet si një alternativë më e sigurt sesa ter Stegen, i cili po rikuperohet dhe nuk ka ende garanci për formën maksimale.

Që nga debutimi i tij më 4 janar ndaj Barbastro në Kupën e Mbretit, Szczesny ka grumbulluar 2,726 minuta në 30 ndeshje zyrtare, duke përfunduar në vendin e nëntë në listën e lojtarëve më të aktivizuar nga Barça gjatë sezonit.

 

Për Barcelonën, rinovimi me Szczesnyn është një garanci sigurie dhe përvoje në një skuadër që po përjeton një proces rinovimi të thellë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco