Nga ndërhyrja në mushkëri, deri te Lamborghini që fluturonte në autostradë, detaje nga vdekja tragjike e Diogo Jotës që tronditi botën e futbollit

Nga ndërhyrja në mushkëri, deri te Lamborghini që fluturonte në autostradë, detaje nga vdekja tragjike e Diogo Jotës që tronditi botën e futbollit

08:30, 05/07/2025

Tragjedia që tronditi botën e futbollit ka marrë përmasa edhe më dramatike, teksa dalin në pah detaje të reja mbi aksidentin që i mori jetën sulmuesit të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, André Silva, gjithashtu futbollist profesionist.

Dy vëllezërit humbën jetën të martën, në një aksident të rëndë automobilistik në autostradën A-52, në provincën spanjolle të Zamorës.

Sipas autoriteteve spanjolle, vëllezërit po udhëtonin me një Lamborghini Huracán me qira, kur automjeti doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë. Hetimet paraprake tregojnë se makina, që lëvizte me shpejtësi të lartë, pësoi shpërthim të një gome të pasme gjatë një manovre parakalimi në një segment të njohur për gjendjen e dëmtuar të asfaltit. Humbja e kontrollit solli përplasjen fatale dhe përfshirjen e automjetit nga flakët, çka bëri të pamundur shpëtimin e tyre.

Një detaj i veçantë dhe i dhimbshëm është se Diogo Jota, i cili kishte kryer së fundmi një ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri, kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë për të shmangur rreziqet që lidhen me fluturimin pas një operacioni të tillë. Ai po shkonte drejt Santanderit për të marrë tragetin e orës 16:00 për në Portsmouth të Anglisë, me qëllim që të rikthehej në stërvitje me Liverpool-in të martën. Vëllai i tij, André Silva, e shoqëronte në këtë rrugëtim, me planin për të kaluar një natë në Benavente përpara se të vazhdonin udhëtimin të nesërmen.

 

 

Autostrada A-52, ku ndodhi aksidenti, ka qenë objekt kritikash prej kohësh për mungesë mirëmbajtjeje dhe rrezikshmëri të lartë. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër aksident i rëndë kishte ndodhur në të njëjtin segment, ndërsa autoritetet lokale dhe qytetarët kishin ngritur alarmin për gjendjen e saj që prej prillit të vitit të kaluar. Paralajmërimet, megjithatë, nuk janë shoqëruar me ndërhyrje konkrete.

Tragjedia ka prekur thellë edhe jetën personale të Jotës. Gruaja e tij, Rute Cardoso, me të cilën ishte martuar vetëm 12 ditë më parë në një ceremoni intime pranë familjes, mbërriti të mërkurën në Institutin e Anatomisë Ligjore në Zamora për të identifikuar trupat e pajetë të bashkëshortit dhe kunatit të saj. Ajo dhe të afërmit e saj ndodhen nën kujdesin e psikologëve, ndërsa klubi i Liverpool-it ka ofruar mbështetje të plotë emocionale dhe logjistike.

Një ceremoni përkujtimore për dy vëllezërit do të mbahet këtë pasdite në kishën e Ngjalljes në Gondomar, ndërsa funerali do të zhvillohet nesër në orën 10:00 në kishën mëmë të qytetit pranë Portos, ku ata lindën dhe u rritën. Bota e sportit dhe mijëra tifozë vijojnë të shprehin homazhe dhe ngushëllime për humbjen e dy jetëve të reja dhe të talentuara që u shuan në mënyrë tragjike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco