Fitoi medalje ari në Ballkaniadën e Atletikës, David Nikolli tregon emocionet e suksesit dhe objektivat

10:52, 16/04/2024

Shqipëria e mbylli me rezultate fantastike pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Ballkanik të gjysmëmaratonës që u zhvillua të dielën e kaluar në Nikshiq të Malit të Zi.

Në një kompeticion ku garuan 12 shtete, Kombëtarja kuqezi ishte dominuese absolute aktivitet, duke u shpallur kampione e dyfishtë si për vajza gjithashtu edhe për djem.

Luiza Gega dhe David Nikolli treguan superfuqinë e tyre ndaj rivalëve, duke fituar medalje të arta në një garë me itinerar të vështirë, të përbërë nga malore të mëdha.

David Nikolli, kampion Ballkani në disiplinën 3000 metra në Novi Pazar të Serbisë në 2017-ën, rikthehet triumfues me ngjyrat kuqezi, tashmë duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit edhe në gjysmë-maratonën ballkanike 2024.

Nikolli e ndali kronometrin në kohën 1:10.07, për të merituar vendin e parë.

Për të folur rreth suksesit historik të Shqipërisë në Ballkaniadë, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri Tv ishte kampioni David Nikolli, i cili theksoi: “E shijova fitoren, e festova dhe jam bashkë me prindërit. E festuam të gjithë bashkë, edhe me Luizën (Gega) gjatë rrugës. Është një sukses i madh, pasi është hera e parë që Shqipëria merr dy medalje në Ballkaniadë. Shqipëria sundoi Ballkanikun, pasi dy gara ishin 21 kilometra. Është diçka e madhe për sportin tonë, jo vetëm për veten time. Ballkanasit e kanë marrë vesh prej vitesh që ne jemi të suksesshëm në atletikë, prej vitesh nga Luiza Gega dhe tani edhe prej meje.

Si është jeta e një atleti? Sporti, me këto distanca që bëjmë ne do shumë përkushtim. Do të largohesh nga familja, të udhëtosh në vende të tjera. Do shumë sakrifica dhe mundim të madh. Nuk mund të përgatitësh një garë 21 km në Tiranë, pra duhet me shkuar në vende të nxehta. Në Afrikë për shembull që është 2000 mijë metra mbi nivelin e detit. Atje duhet shumë punë.

Vjet isha 8 muaj i dëmtuar. Nisa të stërvitem në dhjetor të vitit të kaluar. Në shkurt erdha në Shqipëri, dola kampion kombëtar. Kisha synim ballkanikun 21 km dhe më shkoi mirë.

Si sport do shumë përkushtim. Nuk jep gjë sporti, pa dhënë asgjë. Ndaj duhet të sakrifikosh gjithçka.

Luiza ka vite që është kampione, ka dalë kampione Europe dhe falë saj, motivohemi dhe ne të tjerët. Me punë i ka dhe Luiza, ndaj edhe ne të tjerët do mundohemi të arrijmë sa më lart duke ndjekur shembullin e saj. Vrapimi nuk është shumë i ndjekur këtu, por duke patur arritje, besoj se do bëhet më mirë.

Fama s’më intereson, por sportin e vazhdova se kam dëshirë personale. Më shumë e bëj për veten dhe familjen time.

Synimi? Kampion bote është ëndrra e çdo atleti. Kampion olimpik dhe kampion bote. Ajo është ëndrra e çdo atleti. Kam qenë i 9-ti në botë, por duke qenë se u dëmtova, rifillova sërish. Duhet shumë kujdes, objektivat janë të qarta, por do shumë punë për t’i arritur”.

/ Florian Behlula / Syri.net /

 

  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco