Miqësoret, Broja, Silvinjo dhe Europiani/ Fatjon Kodra zbulon detaje interesante nga Kombëtarja

10:43, 27/03/2024

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të marrë pjesë për herë të dytë në historinë e saj në finalet e Kampionatit Europian.

Në kuadër të përgatitjeve për “Gjermani 2024”, kuqezinjtë zhvilluan dy ndeshje miqësore me Kilin dhe Suedinë, ku u mundën përkatësisht 3-0 dhe 1-0.

Përpos rezultatit, për stafin teknik të kombëtares rëndësi kishte të shihte gjendjen e futbollistëve për të krijuar një ide për listën e Europianit.

Për të folur rreth situatës në ekipin kombëtar dhe pritshmëritë për Europianin, në lidhje “Skype” në “Kafe Shqeto” në Syri Tv ishte drejtori i marrëdhënieve me publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra, i cili deklaroi: Ishin ditë shumë të vrullshme, me plot ngarkesë dhe emocione.

Përsa i përket reagimeve të tifozëve shqiptarë unë i kam ndjekur dhe e dimë temperamentin e tyre. Në momentin kur skuadra është mirë, të gjithë duan të jenë në stadium dhe në momentin kur ndodh një humbje të gjithë ‘vërsulen’ dhe hedhin ‘baltë’ pa fund, ku çfarë nuk thuhet lart e poshtë për lojtarët e kombëtares.

Mendoj se duhet të jemi më të përmbajtur me emocionet. Patjetër që ka një zhgënjim për rezultatet, por duhet të jemi të përgjegjshëm që janë po këta lojtarë që na dhuruan emocione aq të mëdha në kualifikuese.

Janë po këta lojtarë, ky trajner dhe ky staf teknik që bënë të mundur kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024, një ëndërr e madhe, një histori shumë e bukur. Janë pothuajse këta lojtarë që luajtën edhe në dy ndeshjet miqësore që kishim tani në mars.

Kështu që unë mendoj se duhet të jemi pak më racional. E kuptoj zhgënjimin. Edhe lojtarët ishin shumë të mërzitur për rezultatin, por edhe pse rezultati është i rëndësishëm, në fund të fundit ishin dy miqësore.

Kjo do të thotë që në miqësore mund të provohen lojtarë, mund të provosh module loje, mund të testosh gjendjen e ekipit dhe ishte pikërisht kjo që ndodhi dhe kjo që bëri stafi teknik në dy ndeshjet e fundit.

Në termat e përgjithshëm, pavarësisht se si shkuan ndeshjet, stafi teknik ka marrë ato përshtypje që kërkonte.

Stafi teknik ka bërë analizën dhe ka nxjerrë konkluzione të mira për këto dy ndeshje, që ishte qëllimi për këto dy miqësore.

Atmosfera – Besoj se këto dy muaj do të jenë mjaft intensivë. Puna ka filluar që në janar në aspektin logjistik, qoftë në aspektin teknik. Po monitorohen lojtarët për paraqitjet që po bëjnë në klubet e tyre. Stafi teknik ka shkuar për t’i ndjekur lojtarët në ndeshjet me klubet e tyre. Monitorimi është i përditshëm. Ndërkohë ne jemi te ‘sprinti’ i fundit.

Deri në fund të muajit maj stafi do të përgatitë edhe listën me lojtarët që do të shkojnë në finalet e Europianit. Diku nga data 23-24 maj do të kemi një listë paraprake dhe do të nisin përgatitjet. Më 30-31 maj ekipi do të zhvendoset në Austri ku do të zhvillohet një fazë përgatitore deri nga 8 qershori.

Do të kemi edhe dy ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin. Pastaj do të konfigurohet grupi që do të shkojë në finalen e Europianit.

Po punohet edhe me kampin bazë në Gjermani. Ka shumë punë, ka shumë procese, por punohet çdo ditë me qëllimin që kombëtarja të ketë kushte shumë të mira.

Kjo është një periudhë e ngarkuar edhe për lojtarët, pasi të gjithë duhet të provojnë veten me klubet e tyre.

Sigurisht që në Europian do të shkojnë lojtarët që janë më në formë.

Broja – Historia më Brojën është shumë e qartë. Ai është një lojtar që ka debutuar në kombëtare që në moshën 19 vjeç. Është një lojtar për vlerat e të cilit është e kotë të flasim, sepse janë ta padiskutueshme. Nuk mund të themi asgjë më shumë se ai është një talent i jashtëzakonshëm. Ai është një lojtarë mjaft i rëndësishëm. Mungesa e tij ka të bëjë vetëm me problemet fizike që ka patur gjatë vitit të fundit.

Silvinjo – Trajneri është brazilian, por nga natyra e punës është më shumë si gjerman. Mënyra e punës, se si ai përgatit ndeshjen, si punon gjatë ditëve të grumbullimit është për t’u vlerësuar. Është nga trajnerët modernë, që po bën shumë mirë me Shqipërinë. Rezultatet që ka marrë janë absolutisht fryt i punës, asgjë nuk është e pamerituar.

E shoh që në opinion publik edhe tifozët e pëlqejnë shumë. Dhe jo më kot, pasi është e qartë që është një njeri që punon shumë.

E kalojmë grupin? – Kjo është e vetmja gjë që nuk mund të flasim me siguri. Nëse flas dhe pak si tifoz futbolli, në Europiane apo Botërore ka patur gjithnjë surpriza. Ka patur skuadra që nuk kanë qenë favorite dhe kanë bërë çudira, si rasti i Greqisë në Euro 2004, apo Danimarka (zëvendësoi ish-Jugosllavinë) në vitin 1992 që nuk duhet të ishte e fare e që kanë fituar Europianin. E thashë këtë në sensin që turnetë madhorë kanë gjithnjë surpriza. Ndaj është e kotë të flasësh, pasi futbolli është bërë i paparashikueshëm.

/ Florian Behlula / Syri.net /    

     

 

  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco