Nga dieta te stërvitja, ja sekretet e jetëgjatësisë konkurruese të Leo Messit

Nga dieta te stërvitja, ja sekretet e jetëgjatësisë konkurruese të Leo Messit

17:20, 01/11/2023

 

Në moshën 36-vjeçare, tetë herë fituesi i “Topit të Artë” është ende një nga lojtarët më të mirë në botë. Le të zbulojmë se si ai qëndron numri 1 në këtë sport.

Kampion i pafundmë
Një numër që shkon në pafundësi, 8 “Topa të Artë” për një futbollist, që nuk pushon së na mahnituri. Lionel Messi shkroi disa nga faqet më të rëndësishme në historinë e futbollit dhe në moshën 36-vjeçare ende i magjeps fansat e tij, të cilët nuk janë ata të një skuadre të vetme, por të gjithë dashamirët e këtij sporti magjik. Por si mundet ai, i lindur në vitet 1980, të mbetet ende numri 1 dhe t’i kalojë talentet e rinj si Erling Haaland (lindur më 2000) dhe Kylian Mbappé ( lindur më 1998)? Le të zbulojmë disa nga sekretet e jetëgjatësisë së tij konkurruese.

Kampion brenda dhe jashtë fushës
Sekreti i parë i vërtetë i Lionel Messit? Ai është kampion brenda dhe jashtë fushës, nuk ndalet kurrë së qeni futbollist. Mentaliteti fitues e bën atë të jetojë edhe në jetën private duke ndjekur rregulla strikte, që i lejojnë ta zgjasë karrierën e tij. Dietë, stërvitje, pushim; fjalë kyçe për një futbollist që në moshën 36-vjeçare dëshiron ende të mahnisë, edhe nëse ka zgjedhur të luajë në një kampionat “më të lehtë” se ai në të cilin u bë një nga futbollistët më të fortë ndonjëherë. Karriera e tij lidhet kryesisht me Barcelonën, ku mbërriti përmes ekipit të të rinjve në vitin 2000 dhe nga e cila u nda me dhimbje në vitin 2021.
Më pas eksperienca e tij te PSG, në Ligue 1 më “të thjeshtë” dhe në fund Inter Miami, i bindur nga David Beckham për t’i dhënë pak argëtim edhe publikut amerikan. Por kudo që shkoi, pavarësisht se u përball me kampionate më pak stresuese, Messi nuk ndaloi kurrë së mbrojturi trupin e tij. Le të shohim se si.

Ndryshimet në dietën e tij
Si një argjentinas i mirë, Lionel Messi e do mishin. Në veçanti, pjatat e tij të preferuara janë pula e pjekur me perime dhe kotoleta milaneze, siç e përgatit nëna e tij Celia. Mirëpo, për të zgjatur karrierën e tij, “Pleshti”, siç e kanë mbiquajtur me dashuri që në moshë të vogël për shkak të gjatësisë së tij (170 cm), ka pranuar ndryshime rrënjësore në dietën e tij. Vitet e fundit, në fakt, Messi është mbështetur te dietologu Giuliano Poser, i cili i ka reduktuar konsumin e mishit dhe i ka rekomanduar një dietë me bazë bimore. Drithërat integrale, frutat dhe perimet e freskëta janë ushqimet më të pranishme në menunë ditore të kampionit argjentinas. Erëza që përdor është vaj ulliri ekstra i virgjër. Messi ka rritur sasinë e ujit që pi gjatë ditës.

Shkathtësi dhe shpejtësi
Lionel Messi ka spikatur gjithmonë si një sulmues i shpejtë dhe i shkathët, që i çmend mbrojtësit. Këto janë dy karakteristika të vështira për t’u ruajtur me rritjen e moshës, por ai ia del që ta bëjë këtë falë stërvitjeve të specializuara të këmbëve (kërcime me pengesa dhe squats të ndarë). Për të ruajtur shkathësinë ai vazhdon të stërvitet duke u hedhur mbi kone dhe pengesa. Në fund të stërvitjes vrapon rreth dhjetë minuta për të çliruar çdo tension. Për mbarëvajtjen e muskujve, që nga viti 2005, Lionel Messi është mbështetur tek fizioterapisti Marcelo D’Andrea, i cili ka origjinë italiane.

Stabiliteti familjar
Gruaja e tij, Antonela Roccuzzo, luajti një rol themelor në maturimin e Messit nga djaloshi në burrë. Të dy njihen që kur ishin fëmijë, u martuan në vitin 2017 dhe kanë tre djem: Thiago, Mateo dhe Ciro. Marrëdhënia e tyre nuk u dëmtua as nga akuzat për ngacmime nga një modele paraguajane. Bukuroshja Antonela ka qëndruar gjithmonë në krah të Lionel dhe i ka dhënë atij qetësinë e stabilitetin, që janë thelbësore për mirëqenien psikofizike të një kampioni si ai, gjithmonë i thirrur për të përballuar shumë presione brenda dhe jashtë fushës së futbollit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco