Conference League/ Ballkani gabon me Astanën në shtëpi

Conference League/ Ballkani gabon me Astanën në shtëpi

20:44, 26/10/2023

Ballkani pësoi humbjen e dytë në Grupin C të Conference League teksa të besuarit e trajnerit Ilir Daja u mposhtën në stadiumin “Fadil Vokrri” me shifrat 1-2 nga Astana.

Kampionët e Kosovës nuk mundën të përballonin sulmet e kazakëve, ndërsa nga ana tjetër nuk arritën të kishin kthjelltësinë e duhur përpara duke shpërdoruar disa shanse të mira shënimi.

Pjesa e parë nisi me shumë vrull teksa miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e shtatë.

Ishte Jovancic që ndëshkoi portierin Koliçin me një goditje brenda zonës.

Gjithsesi, skuadra nga Suhareka reagoi menjëherë dhe në aksionin pasardhës barazoi shifrat me anë të kapitenit Edvin Kuc.

Mesfushori nuk fali brenda zonës dhe shndërroi në gol një harkim perfekt të Kryeziut.

Në vijim, Astana u shfaq më kërkuese dhe në fakt miqtë e gjetën sërish golin e avantazhit në minutën e 24-t.

Këtë herë ishte Kuat që goditi saktë me kokë pas një goditje këndi me portierin Koliçi që nuk mundi të bënte shumë në këtë moment.

Në fundin e pjesës së parë, vendasit patën një shans ideal për të barazuar teksa Gripshi gaboi me kokë pas harkimit të Kryeziut.

Në fraksionin e dytë, Ballkani u shfaq më shumë kërkues i detyruar për të gjetur golin e barazimit.

Ishte sulmuesi Berisha që pati dy mundësi të mira shënimi, por në njërën prej tyre u ndal nga portieri Condric ndërsa në tjetrën nuk mundi të devijonte topin nga fare pranë portës.

Në minutën e 89-të, Ballkani pati një tjetër mundësi, por Manaj nuk mundi ta devijonte saktë topin pas harkimit të Tolaj.

Pas kësaj disfate, Ballkani mbetet në vendin e tretë me tre pikë në Grupin C, ndërsa Astana merr trepikëshin e parë, por mbetet e fundit.

Ndërkaq, grupi kryesohet nga Plzen me gjashtë pikë dhe Dinamo Zagreb me tre pikë, teksa këto të dyja skuadrat kanë për momentin një ndeshje më pak.

Gjithsesi, shanset e Ballkanit për një kualifikim të ëndërruar mbeten të realizueshme, ndërsa ndeshjen e radhës e luajnë po ndaj Astanës në transfertë më datë 9 nëntor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco