Bare dhe Daku lënë grumbullimin/ Silvinjo bën rotacion ndaj Bullgarisë, formacioni i mundshëm

Bare dhe Daku lënë grumbullimin/ Silvinjo bën rotacion ndaj Bullgarisë, formacioni i mundshëm

10:59, 14/10/2023

Kombëtarja shqiptare e futbollit është kthyer dje përsëri në fushën stërvitore, një ditë pas fitores me Çekinë.

Dhe duket se lista e trajnerit Silvinjo për ndeshjen e radhës, miqësoren kundër Bullgarisë, do të pësojë ndryshime.

Mirlind Daku ka pësuar një dëmtim muskulor dhe, pas kontrolleve të hollësishme mjekësore, është kuptuar që do t’i nevojiteshin disa ditë pushim për rikuperimin.

Kështu, meqë lojtari nuk mund të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Bullgarisë, ai është lënë i lirë të kthehet pranë klubit të tij. E njëjta situatë edhe për Keidi Baren, i cili do të udhëtojë drejt Spanjës për t’iu bashkuar Espanjolit.

Klubi ka bërë kërkesë zyrtare në FSHF që mesfushori të lihet i lirë për të luajtur një ndeshje të rëndësishme këtë javë në La Liga 2 dhe stafi teknik i ka dhënë leje lojtarit.

Tani mbetet që të shihet nëse do të ketë afrime të tjera në radhët e kuqezinjve për duelin ndaj Bullgarisë, pasi lista është reduktuar për shkak të dëmtimeve dhe këtyre largimeve, në vetëm 21 lojtarë. Flitet se të dielën ekziston mundësia që me ekipin të bashkohet Marvin Çuni apo Arbnor Muçolli, por kjo mbetet për t’u parë se si do të vendosë trajneri Silvinjo.

Ndërkaq, sot stafi teknik ka vendosur që lojtarët të jenë pushim dhe të lirë nga grumbullimi deri në orën 21:00.

Formacioni- Në ndeshjen me Bullgarinë, e cila do të zhvillohet ditën e martë në orën 18:00 në “Air Albania”, pritet që të luajë: Strakosha në portë, në mbrojtje: Balliu, Veseli, Mihaj, ndërkohë majtas Mitaj. Sa i përket mesfushës, pritet një rotacion me Gjasulën dhe Laçin dhe para tyre Ernest Muçi. Në krahë do ta nisin Muja dhe Uzuni, ndërsa në majën e sulmit Sokol Cikalleshi.

Megjithatë, kjo do të varet edhe nga ndryshimet që mund të pësojë lista e trajnerit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco