Formacioni i mundshëm/ Silvinjo bën gati titullarët, ja si mund të luajnë kuqezinjtë në Çeki

Formacioni i mundshëm/ Silvinjo bën gati titullarët, ja si mund të luajnë kuqezinjtë në Çeki

08:57, 06/09/2023

Kombëtarja ka mbyllur dje përgatitjet në fushën me bar natyral të “Shtëpisë së Futbollit” në FSHF, duke u bërë gati për udhëtimin drejt Çekisë.

Trajneri Silvinjo ka kërkuar që stërvitja të jetë me dyer të mbyllura, qoftë në seancën e paradites, ashtu edhe në atë të pasdites, pasi ka provuar edhe formacionin që me shumë mundësi do të luajë nesër në Çeki.

Sipas asaj që raporton zyra për mediat në FSHF, mesfushori Qazim Laçi është lënë pushim edhe dje për shkak të gjendjes gripale.

Silvinjo i ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët e tjerë të grumbulluar për këto dy sfida.

Fillimisht kuqezinjtë kanë punuar në palestër, e më pas në fushë, ku gjithçka është fokusuar te taktika. Bashkë me lojtarët e Kombëtares A, janë stërvitur edhe shtatë futbollistë të ekipit U-19.

Trajneri e ndau ekipin në dy grupe, duke bërë stërvitje të diferencuar me lojtarë të reparteve të ndryshme.

Silvinjo e ka të qartë si do të luajë në Pragë, por dilemat ekzistojnë për skemën.

E gjithë çështja është për të hedhur në fushë një skuadër me strategji të qartë për t’u mbrojtur dhe dalë shpejt me kundërsulm apo për t’iu kundërvënë çekëve me një lojë të hapur. Shtatlartësia e kundërshtarit dhe fakti që është shumë i rrezikshëm në goditjet standarde, kanë bërë që braziliani të fokusohet shumë te kjo pjesë.

Me kapitenin Berisha në portë, mbrojtja pritet të përbëhet nga Balliu në të djathtë dhe Hysaj në të majtë.

Në qendër do të luajnë të zakonshmit Ismajli dhe Gjimshiti, por një alternativë potenciale është edhe Ajeti i rikthyer.

Me skemën 4-2-3-1, përpara mbrojtjes do të rreshtohen Asllani dhe Ramadani, ndërsa në krahët e sulmit Asani dhe Uzuni. Bajrami do të jetë në rolin e numrit 10, për të mbështetur Cikalleshin në majën e repartit ofensiv.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco