UEFA dhe Greqia do ta godasin huliganizmin në futboll: Ky është kancer, jo tifozllëk!

UEFA dhe Greqia do ta godasin huliganizmin në futboll: Ky është kancer, jo tifozllëk!

08:20, 17/08/2023

Një tifoz e goditën me thikë për vdekje kur mbështetësit rivalë të AEK-ut në Athinë dhe skuadrës kroate Dinamo Zagreb u përleshën në betejë jashtë stadiumit të klubit grek javën e kaluar.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin u takua me kryeministrin e Greqisë të mërkurën dhe premtoi të bëjë më shumë për t'u marrë me dhunën e organizuar në futboll pas një sulmi vdekjeprurës të udhëhequr nga tifozët kroatë në Athinë.

Ceferin zhvilloi bisedime me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Më vonë atyre iu bashkuan përfaqësues nga katër klubet kryesore të Greqisë.

Një tifoz 29-vjeçar i AEK-ut në Athinë, Michalis Katsouris, u godit me thikë dhe u vra javën e kaluar pasi shumë mbështetës të klubit kroat Dinamo Zagreb, shumica të veshur me maska dhe me shkopinj druri, organizuan një sulm jashtë stadiumit të klubit grek.

Takimet e së mërkurës u zhvilluan disa orë para ndeshjes së Superkupës mes Sevillas dhe Manchester Cityt në stadiumin Karaiskakis pranë Athinës.

“Ne kemi një ndeshje fantastike sonte, por këtë herë është pak më ndryshe”, tha Ceferin.

“Të gjithë ndjejmë pikëllim. Ndihemi të indinjuar për shkak të gjërave idiote që kanë ndodhur, dhunës pa asnjë arsye”, tha presidenti i UEFA-s. “Ky është një kancer i futbollit. Mos i quani tifozë futbolli, sepse nuk janë tifozë futbolli.”

Mitsotakis tha se AEK, Panathinaikos, Olympiakos dhe PAOK nga qyteti verior i Selanikut kishin rënë dakord t’i vendosnin organizatat e tifozëve nën kontroll më të rreptë. Ai shtoi se Athina do të mbështesë bashkëpunimin më të ngushtë midis UEFA-s dhe agjencive të zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian.

Më shumë se 100 persona, kryesisht shtetas kroatë, janë arrestuar me akuza për vrasje dhe anëtarësim në një bandë kriminale pas sulmit në Athinë.

Presidenti kroat Zoran Milanoviç akuzoi autoritetet greke se i trajtojnë tifozët e arrestuar si "të burgosur lufte", në komentet në fillim të kësaj jave që një zyrtar i qeverisë greke i përshkroi si "të padobishëm".

UEFA anuloi ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve mes AEK-ut dhe Dinamos javën e kaluar, por hodhi poshtë kërkesën e klubit grek për të pezulluar skuadrën e Zagrebit.

Të martën vonë, AEK pati një fitore 2-1 me golin e minutës së 90-të në stadiumin Maksimir të Zagrebit.

Kostas Galanopoulos, i cili shënoi golin e vonë, mbajti një shirit të zi në krah pasi vendosi fituesin.

“Ne e donim shumë fitoren. Nuk erdhëm këtu për barazim”, tha mesfushori 25-vjeçar grek. “Nuk dija si ta festoja golin dhe nuk doja të provokoja askënd – tifozët apo ekipin – por ishte më e pakta që mund të bënim si lojtarë dhe si klub.”

AEK do të presë Dinamon të shtunën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco