Partizani udhëton në Letoni, synohet ‘Play-Off’-i i Conference League

Partizani udhëton në Letoni, synohet ‘Play-Off’-i i Conference League

09:50, 10/08/2023

Vëmendja mediatike është ndoshta te miqësorja me Romën, por Partizani ka një mision më të rëndësishëm këtë të enjte, atë për të hedhur një hap drejt Play off-it të Conference League në sfidën e parë të duelit të dyfishtë me Valmeiran.

Në Riga të Letonisë të kuqtë e Zekic do të tentojnë një rezultat pozitiv që ju mundëson kalimin e turit një javë më pas në Tiranë, ndaj e kanë të ndaluar të mendojnë për sfidën e luksit me Romën, pasi në lojë është kualifikimi dhe të ardhura të rëndësishme për arkat e klubit.

Partizani demonstroi rritje në sfidën e dytë me Athletic Escaldes ku shënoi 4 gola përballë skuadrës nga Andorra dhe Valmeria është një kundërshtar i kalueshëm të paktën në letër.

Me një organikë që vlen diçka më pak se ajo e Partizanit letonezët kaluan po ashtu një kundërshtar të lehtë në raundin e dytë Tre Pene, të San Marinos të cilave ju shënuan 10 gola në dy duelet mes tyre.

Për t’u theksuar se Valmeira vjen në një tjetër situatë për sa i përket gjendjes atletike, duke qenë se këtë të diel ka luajtur javën e 25 të kampionatit vendas ku pas 24 ndeshjesh renditet në vendin e tretë me plot 27 pikë diferencë nga kryesuesit e Riga-s.

Për sa i përket situatës së lojtarëve, Zekic në këtë përballje nuk mund të mbështetet te shërbimet e Mensah dhe Sembene, të dy të dëmtuar, por lajmi i mirë për tifozët e kuq, është se Andi Hadroj që ishte në dyshim, është drejt rikuperimit dhe pritet të jetë pjesë e ndeshjes.

Për sa i përket formacionit, Zekiç pritet të bëjë pak ndryshime në krahasim me skuadrën që zbriti në fushë për sfidën e dytë ndaj Inter Escaldes, ku i vetmi balotazh duket ai mes Taipit dhe Maget në mesfushë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco