Inzagi takon Ronaldon në det: Pse shkove në Arabi? Me mua do të shënoje 40 gola

Inzagi takon Ronaldon në det: Pse shkove në Arabi? Me mua do të shënoje 40 gola

09:14, 10/08/2023

Simone Inzagi e ka humbur rrallë qetës inë përpara mikrofonave edhe kur Interi i tij ishte në momentet më të vështira dhe kishte përfunduar në shënjestrën e të gjithë tifozëve për rezultatet negative gjatë sezonit të shkuar.

“Është fjalëpak dhe shumë i qetë”, janë shprehur njëzëri të gjithë ata që e njohin Simonen nga vëllai i tij Pipo te drejtuesit zikaltër, të cilët kanë vlerësuar më së shumti gjatë sezonit që lamë pas pikërisht maturinë me të cilën trajneri i kaloi momentet e vështira për të mbërritur në finalen e Champions League dhe për të fituar Kupën e Superkupën e Italisë.

Për këtë tek Interi kanë qenë unanimë kur ka qenë fjala për rinovimin edhe për një vit të kontratës së 47- vjeçarit që përfundonte qershorin e ardhshëm. Siç ka konfirmuar agjenti i tij, Tulio Tinti është gjetur tashmë në Japoni akordi për zgjatjen e kontratës deri në 2025-ën me pagën që pritet të shkojë në 5.5 milionë euro në sezon, ndërsa firmat priten këtë fundjavë.

Një sërë bonusesh do të jenë të shtuara në lidhje me arritjet e sigurisht që objektivi i këtij sezoni për Inzagin dhe Interin është ylli i dytë. Në shërbim të këtij qëllimi është zhvilluar edhe merkatoja zikaltër për të cilën Inzagi duket se ka tashmë një “peng”, Kristiano Ronaldon.

Prapaskena e zbuluar nga “Corriere dello Sport” që përfshin Inzagin dhe Ronaldon u përket pushimeve të dyshes. Sfondi i takimit (të rastësishëm) mes tyre daton në fund të qershorit, kur trajneri gjendej në një varkë midis Sardenjës dhe Korsikës dhe pa me dylbi jahtin 27 metra të gjatë të Kristianos. Kishte shumë kuriozitet dhe dëshirë për të folur me të nga ana e trajnerit, që mori një motor uji për të mbërritur pranë jahtit të portugezit.

“Unë jam trajneri Inzagi, dua të përshëndes Kristianon”, raportohen të kenë qenë fjalët e italianit, pas të cilave është shfaqur lojtari që e ka ftuar të ngjitet në bord. Një bisedë me kostumet e banjës veshur e sigurisht me fokus futbollin, ndërkohë që ishin duke pirë diçka është zhvilluar mes tyre dhe nuk ka zgjatur më shumë se gjysmë ore.

Simone provoi t’i shtonte pak spec bisedës: “Pse shkove të luash në Arabi? Do të të kisha bërë të shënoje 40 gola”. Sigurisht që një batutë ajo e Inzagit në këto kushte të tregut të transferimeve, por Ronaldon me ngjyrat zikaltër është një fantazi e bukur për tifozët dhe ndoshta edhe për trajnerin. Nga Arabia pati interes edhe për Inzagin, por ai refuzoi dhe zgjodhi të vazhdojë me Interin, me të cilin shpreson të mbërrijë objektivat edhe pa një si Ronaldo në organikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco