Kursi për licencën UEFA C mbërrin edhe në Elbasan, hapen regjistrimet

Kursi për licencën UEFA C mbërrin edhe në Elbasan, hapen regjistrimet

15:36, 01/08/2023

Interesi i lartë për t’u bërë pjesë e botës së bukur të futbollit, duke u pajisur me një licencë trajneri UEFA C ka bërë që Federata e Futbollit të shtrijë kursin në disa zona kryesore të vendit, si Tiranë, Fier, Shkodër e Korçë. Sakaq, në muajin shtator, ky kurs do të zhvillohet për herë të parë edhe në qytetin e Elbasanit, duke i dhënë mundësinë të gjithë të interesuarve nga kjo zonë të përfshihen në botën e trajningut.

Sektori i Edukimit në FSHF ka planifikuar të zhvillojë edicionin e këtij kursi të parë në qytetin e Elbasanit më 25 shtator dhe do të jetë i ndarë në tre blloqe leksionesh e më konkretisht në datat 25-27 shtator 2023; 18-20 tetor 2023; 22-24 nëntor 2023, teksa u bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në Elbasan, Cërrik, Librazhd, Gramsh e zonat përreth të bëhen pjesë e kësaj eksperiencë unike duke u regjistruar sa më parë, pasi vendet janë të limituara.

Ashtu si edhe në të gjitha kurset që janë organizuar në zonat e tjera të vendit, edhe në Elbasan mund të marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë karrierën e tyre në këtë fushë. Mosha minimale për t’u regjistruar në kurs është 20 vjeç dhe kandidatët duhet të dërgojnë në adresën elektronike drejtoria.teknike@fshf.al diplomën e shkollës së mesme, aktivitetin që ushtrojnë, numrin e kontaktit si edhe një fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës.

Nuk do të pranohen në kurs kërkesat e dërguara nga kandidatët e dënuar mbi 180 ditë nga Komisionet Disiplinore të FSHF-së; studentët të cilët, ndërsa ndjekin kursin, do të pësojnë një pezullim prej më shumë se 180 ditësh nga Komisionet e FSHF-së; kandidatët e dënuar përjetësisht nga Komisionet e FSHF-së; studentët të cilët gjatë zhvillimit të kursit dënohen nga autoritetet pezullohen nga kursi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco