Interi hidhet në sulm, kontaktet e para me Chelsea për Lukakun do të nisin sot

Interi hidhet në sulm, kontaktet e para me Chelsea për Lukakun do të nisin sot

10:06, 11/07/2023

Rikthimi i menjëhershëm i Romelu Lukakut në Milano është synimi i ri i madh i Interit. Pasi kanë mbyllur tashmë operacionet që sollën Thuram dhe Frattesi te zikaltrit, nënkampionët e Europës tani janë gati të përqendrohen në situatën në lidhje me sulmuesin belg.

Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, në orët e ardhshme avokati i sulmuesit belg, Sebastien Ledure, në emër të Interit do të negociojë me Chelsea për të testuar ujërat në mënyrë zyrtare.

Pasdite është planifikuar një samit, i cili do të jetë vetëm me telefon dhe që do të shërbejë për marrjen e kërkesës së parë zyrtare nga klubi londinez.

Vullneti i bluve të Londrës është shitja e Lukakut tek Al-Hilal, një klub saudit i gatshëm të vendosë rreth 50 milionë euro në tavolinë për belgun, por ata do të duhet t’i dorëzohen vullnetit të sulmuesit, që nuk ka synimin për t’u larguar nga Europa.

Ka gjasa që kërkesa e Chelsea të niset nga rreth 45 milionë euro, shumë e tepërt për zikaltrit, që nuk janë të gatshëm të shkojnë deri në shifra kaq të larta.

E sotmja do të jetë vetëm akti i parë i një negocimi, që do të zhvillohet mes kërkesave, ofertave dhe kundëroferave. Natyrisht që gjithçka bie në rendin e gjërave, por te zikaltrit idetë janë shumë të qarta: Interi është gati të arrijë deri në 35 milionë euro, duke përfshirë bonuset.

Zikaltrit do të mund të llogarisin vullnetin e lojtarit, duke pritur të llogarisin edhe në milionat që rezultojnë nga shitja e Onanës te Manchester United. Do të jetë pikërisht transferimi i portierit në Angli (mbyllja mund të vijë në një kohë të shkurtër), për të financuar pjesën e dytë të merkatos së Interit dhe ndoshta edhe operacionin e Lukakut.

Gjatë javëve të fundit është folur shpesh për një Inter të gatshëm për t’i ofruar Chelsea huazim të belgut me detyrim për ta blerë, por në realitet zikaltrit do të ishin gati të shkonin më tej. Vullneti i klubit milanez në fakt do të ishte të propozonte një blerje të menjëhershme të kartonit të lojtarit.

Gjithashtu sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, Lukaku do të ishte i prirur ta ulte pagën e tij (e cila ende gëzon përfitimet e Dekretit të Rritjes), për t’u rikthyer tek Interi. Hipoteza është se ai kthehet me një pagë të ngjashme me atë të përvojës së parë me zikaltrit (d.m.th. dy vitet para transferimit te Chelsea), rreth 7.5 milionë euro në sezon, pa përfshirë bonuset (një më pak në krahasim me atë të marrë vitin e fundit).

Kontrata që aktualisht lidh Lukakun me Chelsea do të skadojë në vitin 2026, ndërsa Interi do të ishte gati të vendoste një të tillë në tavolinë deri në vitin 2027.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco