Mbërrin në Milano ‘goditja’ e parë e kuqezinjve, vjen nga Çelsi

Mbërrin në Milano ‘goditja’ e parë e kuqezinjve, vjen nga Çelsi

08:47, 29/06/2023

Nevojitej një afrim për të zëvendësuar numerikisht Sandro Tonalin që do të shitet te Njukasëlli për thuajse 80 milionë euro dhe Milani bën goditjen e parë të kësaj vere pas afrimit falas të Marko Sportielos, i cili dje u prezantua në konferencë për shtyp.

Për 21 milionë euro do të jetë Ruben Loftus-Çik përforcimi për skuadrën e Stefano Piolit.

Një ditë më parë, klubi pati finalizuar detajet përfundimtare me Çelsin për mesfushorin, i cili dje në mbrëmje zbarkoi në Milano.

Emri i tij ishte lakuar që kur përgjegjës të sektorit teknik ishin Maldini dhe Masara, por edhe Furlani-Monkada nuk hoqën dorë prej tij.

Loftus-Çik mund të luajë si mesfushor, por edhe si fantazist, do të zërë vendin e jokomunitarit, që dukej i destinuar për japonezin Kamada.

Ai e ka kaluar të gjithë karrierën në Londër, pasi dy përvojat në huazim (Kristal Palas dhe Fulham) kanë qenë brenda kryeqytetit anglez.

Në total ai ka bërë 155 paraqitje për Çelsin, që nga debutimi i tij në vitin 2014, duke shënuar 13 gola.

Sezonin e kaluar ai bëri 33 paraqitje në të gjitha turnetë pa shënuar.

Pasi kaloi natën në një hotel në qendër të Milanos, ai sot do të kryejë ritualin e vizitave mjekësore në klinikën “La Madonnina”. Më pas do të zhvillojë edhe një sërë testesh që do të certifikojnë aftësinë e tij për të kryer profesionin.

Hapi i fundit do të jetë vizita në “Casa Milan”, ku do të nënshkruajë edhe paktin me “djallin”.

Për Loftus-Çik është gati një kontratë deri në vitin 2028 me një pagë rreth 4 milionë neto në sezon.

Kujtojmë se Milani kërkoi ta huazonte me të drejtë blerjeje, ndërsa kushtet e Çelsit bënë që opsioni i vetëm të ishte kjo shitje përfundimtare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco