Po përgatitet rikthimi i madh i Messit: Barcelona po mbledh një ‘ekip’ për realizimin e transferimit

Po përgatitet rikthimi i madh i Messit: Barcelona po mbledh një ‘ekip’ për realizimin e transferimit

20:15, 03/04/2023

Rikthimi i Lionel Messit në Barcelonë është çdo ditë e më i sigurt dhe informacionet e fundit nga gjiganti katalanas janë “muzikë” në veshët e tifozëve të këtij klubi.

Sipas gazetarit të respektuar Gerard Romero, gjithmonë njohës i mirë i informacioneve të brendshme në Barcelonë, Barcelona ka hartuar një plan për kthimin e legjendarit argjentinas në vendin ku bëri emër dhe arriti një nivel që vështirë se do të përsëritet ndonjëherë.

Kontrata e Messit me PSG-në skadon në fund të sezonit dhe duhet të ndodhë një mrekulli e vërtetë që ajo të zgjatet. Duket se asnjëra palë nuk është pro vazhdimit të bashkëpunimit dhe verdiktin e kanë dhënë edhe tifozët e PSG-së, të cilët mbrëmë kanë vërshërshëllyer sërish argjentinasin.

Prandaj, rikthimi në Barcelonë duket si opsioni më real dhe ajo punë e madhe është çdo ditë e më e sigurt. Problemi i vetëm për gjigantin katalanas është çështja e financave, ndaj është përpunuar një plan i veçantë për këtë arsye.

Sipas gazetarit Romero, Barcelona tashmë ka nisur procesin e grumbullimit të sponsorëve të cilët do të kenë vetëm një detyrë, e ajo është financimi i ardhjes së Messit sepse duhet të kenë parasysh çështjet e “fair play-it financiar”.

Sponsorët duhet të ndihmojnë në financimin e rikthimit të ish-kapitenit dhe kështu t'i hapin derën Barcelonës. Romero shton se ka optimizëm si nga ana e Barcelonës ashtu edhe nga ana e Messit në lidhje me finalizimin e kësaj marrëveshje.

Nëse rikthehet, argjentinasi legjendar do të marrë një pagë pak më të ulët, por me një përqindje më të lartë të sponsorizimit dhe fitimit komercial që gjeneron rikthimi i tij.

Plani është që Messit t'i prezantohet oferta zyrtare e klubit dhe më pas të ketë një takim dhe bisedë private me presidentin e klubit Joan Laporta. Aty detyra e Laportës do të jetë t'i shpjegojë Messit se si do të regjistrohet dhe t'i paraqesë të gjitha detajet financiare të këtij operacioni.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco