Miqësoret me Bosnjen, flasin kuqezinjtë: Kombëtarja U-17 është gati për Elite Round

Miqësoret me Bosnjen, flasin kuqezinjtë: Kombëtarja U-17 është gati për Elite Round

17:07, 17/02/2023

Kombëtarja shqiptare U-17 ka mbyllur përgatitjet e radhës për Elite Round të Kampionatit Europian 2023 me dy ndeshjet miqësore të luajtura me Bosnje-Hercegovinën të luajtur gjatë kësaj jave në Shqipëri.

Të dyja ndeshjet kanë përfunduar në barazim 0-0, por kanë qenë mjaft të vlefshme për të parë gjendjen e skuadrës dhe për të testuar edhe disa lojtarë të rinj, që mund të jenë pjesë e ekipit në të ardhmen.

Në përfundim të miqësores së dytë disa nga protagonistët e Kombëtares U-17 kanë folur për mikrofonin e Fshf.org dhe kanë dhënë përshtypjet e tyre për këto dy teste mjaft me vlera.

Ersi Bode, Glenis Belloj dhe Amarildo Dervishi kanë vlerësuar paraqitjet e skuadrës dhe janë të bindur se përgatitjet për Elite Round po shkojnë shumë mirë dhe se Kombëtarja shqiptare është e aftë të konkurrojë denjësisht me të gjitha rivalet në këtë kompeticion të rëndësishëm europian.

Ersi Bode – “Në ndeshjen e parë e pamë që rezultati nuk ishte në favorin tonë, ka qenë një ndeshje pak a shumë e barabartë dhe në pjesën e dytë ne kemi luajtur më mirë. Ndërsa në ndeshjen e dytë patëm një volum loje më të lartë, ishim më të rrezikshëm para portës së se kundërshtari, luajtëm, por nuk patëm fat për të fituar. Si në ndeshjen e parë ashtu edhe në dytën kamë dhënë maksimumin për skuadrën, u mundova të shënoja vetë dhe të jepja sa më shumë pasime të vlefshme për shokët në sulm, por nuk ia dolëm dot të shënonim. Besoj se skuadra do të jetë gati për Elite Round, do të punojmë shumë dhe do të jemi akoma më të fortë që t’u tregojmë shqiptarëve dhe Europës që ne jemi një ekip shumë i mirë, me cilësi të mira dhe do të japim shpirtin në fushë”.

Glenis Belloj – “Fati nuk ishte me ne në këtë ndeshje, u përpoqëm të shfrytëzonim të gjitha mundësitë. Patëm disa raste për shënim, goditëm dy herë shtyllën, luftuam maksimalisht dhe dhamë gjithçka në fushë. Them se bëmë një paraqitje të mirë, pasi këtë e tregojnë edhe rastet për gol që krijuam, na mungoi vetëm fitorja. Unë u përpoqa të bëj maksimumin tim në fushë për skuadrën dhe dua të vazhdoj të bëj paraqitje sa më të mira me Kombëtaren. Tani do të përqendrohemi maksimalisht te përgatitjet për fazën Elite Round të Europianit. Patjetër që duhet të synojmë kualifikimin për të arritur deri në finalet e Europianit me 16 më të mirat e kontinentit”.

Amarildo Dervishi – “Jam shumë i kënaqur me skuadrën, që bëri një paraqitje të mirë, pavarësisht se fati nuk ishte me ne në këtë takim dhe na mohoi fitoren. Arritëm të krijonim shumë raste, por duhet të punojmë edhe më shumë që të përmirësohemi e për t’i shfrytëzuar rastet më mirë. Këto ndeshje ishin shumë me vlera për t’u përgatitur si duhet dhe na dhanë mundësi të kuptonim shkallën e vështirësisë që do të ketë Elite Round, pasi edhe Bosnja është një nga skuadrat e kualifikuara për në këtë fazë. Do të shkojmë në ndeshjen e Europianit me synimin për t’u kualifikuar në fazën finale, sepse skuadra jona i ka të gjitha cilësitë që duhen, kemi talente dhe nuk kemi asgjë më pak se rivalët tonë. Mund t’i përballojmë të gjithë fare mirë, madje pretendojmë për pikë edhe në ndeshjen me Francën, që është nga të mirat në Europë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco