VIDEO/ Barazimi me Bosnjen, flasin kuqezinjtë

VIDEO/ Barazimi me Bosnjen, flasin kuqezinjtë

17:07, 16/02/2023

Kombëtarja U-17 zhvilloi të mërkurën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit miqësoren e parë të programuar me Bosnje-Hercegovinën U-17, sfidë që u mbyll në barazim 0-0.

Një ndeshje mjaft interesante për kuqezinjtë, teksa trajneri Ervin Bulku pati mundësi të testonte gjendjen e skuadrës teksa po bënë përgatitjet e fundit për pjesëmarrjen në fazën Elite Round të Europianit U-17, me ndeshjet e grupit që do të luhen në muajin mars në Shqipëri.

Një test mjaft i fortë përballë një kundërshtari që gjithashtu është kualifikuar për në Elite Round dhe që i vlen shumë stafit teknik për të parë nivelin para sfidave shumë të rëndësishme me Shqipërinë U-17 që synon të kualifikohet për në fazën finale të turneut.

Në përfundim të miqësores së parë disa nga protagonistët e ndeshjes dhanë edhe impresionet e tyre për ndeshjen, teksa shprehën edhe synimet që ata kanë në karrierën personale.

Sulmuesi Ron Hasani, i cili kishte ardhur nga Gjermania për t’u testuar me fanellën kuqezi është shprehur mjaft i lumtur për këtë eksperiencë dhe shpreson të jetë pjesë e ekipeve Kombëtare edhe në të ardhmen.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e grumbullimit të Kombëtares U-17. Kemi bërë një ndeshje të mirë me Bosnjen, në fillim e nisëm ngadalë, por me kalimin e minutave morëm situatën në kontroll dhe na mungoi vetëm fitorja. Shpresoj të kem mundësinë ta ndihmoj sa më shumë Kombëtaren në të ardhmen. Ëndrra ime është që një ditë të jem pjesë e ekipeve Kombëtare dhe të arrij n të ardhmen deri te Kombëtarja A”, – tha Ron Hasani, i cili aktivizohet me Carl Zeiss Jena në Gjermani.

Për mesfushorin Devi Duro, skuadra po tregon formë të mirë para impenjimit në turneun zyrtar të muajit mars, ku përballë do të ketë disa prej ekipeve më të forta të Europës.

“Zhvilluam një test miqësor kundër ekipit të Bosnjës U-17. Mendoj se ishte një ndeshje shumë e bukur dhe ndonëse nuk arritëm të fitonim, jam i kënaqur dhe shpresoj të arrijmë sa më lart. Muajin tjetër ndeshjet e Elite Round të Europianit dhe luajmë në Shqipëri kundër Francës, Zvicrës dhe Letonisë, dhe shpresojë shumë të marrim rezultatet pozitive në këtë turne.

Sigurisht jam shumë i kënaqur që kam arritur deri në Kombëtare dhe të përfaqësoj sa më mirë kombin tim. Synoj që një ditë të luaj edhe me Kombëtaren A, ndërsa me klube ëndrra ime që luaj një ditë me ekipin e zemrës, Realin e Madridit”, – thotë Devi Duro.

Ndërsa, mbrojtësi Ergi Bastari vlerëson rivalët e Bosnjes, teksa synon të vazhdojë gjatë rrugëtimin e tij deri te Kombëtarja A.

“Ne zhvilluam testin e parë me Bosnjen, nuk arritëm të merrnim rezultatin që kishim si objektiv, por tani duhet të mendojmë për ndeshjen e dytë po ndaj boshnjakëve dhe synojmë të marrim një fitore. Ishte një ndeshje e fortë, e luftuar nga të dyja ekipet, ne patëm rastet për shënim, por nuk patëm fat para portës.

Një ndeshje ku të dyja skuadrat luajtën fort, ndërsa tani do të përpiqemi që në ndeshjen tjetër të marrim fitore që të bëjmë krenar të gjithë shqiptarët dhe gjithashtu fokusi ynë kryesor është faza Elite Round i Europianit, ku ne synojmë kualifikimin për në finale. Është nder i madh të luash me fanellën e Kombëtares dhe uroj të vazhdoj kështu deri në Kombëtaren A”, – tha Bastari për Fshf.org.

Kombëtarja shqiptare U-17 ka nisur grumbullimin që të dielën e kaluar, ndërkohë që sfida e dytë Shqipëri U-17 – Bosnje Hercegovinë U-17 do të luhet më 17 shkurt, në ora 11:30 në stadiumin kombëtar “Air Albania” në Tiranë.

Edhe në këtë ndeshje, Federata Shqiptare e Futbollit do të hapë dyert për të gjithë tifozët, për t’i dhënë sa më shumë mbështetje kuqezinjve të vegjël.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco