Arlind Ajeti rikthehet në Kombëtare: Ekipi ka ndryshuar për mirë

Arlind Ajeti rikthehet në Kombëtare: Ekipi ka ndryshuar për mirë

14:32, 19/09/2022

Arlind Ajeti, i rikthyer në Kombëtare pas më shumë se një viti, u shpreh i lumtur për ftesën dhe grumbullin.

Ajeti ka luajtur për herë të fundit me Shqipërinë më 31 mars 2021 në kualifikueset e Kupës së Botës, “Katar 2022” ndaj San Marinos.

Sa i përket dy ndeshjeve në Nations League, mbrojtësi u shpreh se janë dy kundërshtarë të fortë, por nëse ekipi jep maksimumin mund të marrë dy fitore edhe pse në këtë grumbullim ka mungesa të rëndësishme.

Dy sfida të rëndësishme në Nations League përballë Izraelit dhe Islandës, si i shihni këto dy takime?

Janë dy ndeshje shume të rëndësishme, dy ndeshje shumë të vështira. Ne sapo jemi grumbulluar dhe do të nisim përgatitjet dhe përpara kemi kohën e duhur për t’u përgatitur dhe do të bëjmë maksimumin.

Një mungesë e gjatë, sa ka ndryshuar Kombëtarja, ndoshta duke e krahasuar edhe me vitin 2016?

Kombëtarja ka pësuar disa ndryshime dhe kjo për mirë. Është kënaqësi të jem këtu dhe të luaj për ngjyrat kuqezi dhe ndihem i gatshëm. Sa i përket 2016-ës, kualiteti është rritur dhe kjo kuptohet nga emrat dhe skuadrat ku lojtarët luajnë dhe shpresoj të përsërisim atë vit të suksesshëm.

A e ke pritur këtë ftesë në këtë moment?

Sapo ka nisur kampionati dhe unë kam luajtur rregullisht, në katër ndeshjet e para. Të them të drejtën e kam pritur këtë ftesë dhe objektivi im është të jem gjithmonë pjesë e Shqipërisë dhe tani që jam këtu jam shumë i lumtur. Natyrisht ftesat vendosen nga trajneri dhe tani që jam këtu dua të jap maksimumin.

Reparti i mbrojtjes ka shumë mungesa si, Kumbulla, Gjimshiti dhe Dermaku, sa do të ndikojnë këto mungesa?

Të them të drejtën, lojtarët që deri më tani mungojnë janë shumë të rëndësishëm. Janë lojtarë me kualitet të madh dhe është e vështirë që të zëvendësosh emra të tillë, por nëse luaj do të jap maksimumin dhe të bëj më të mirën.

Në ndeshjet e fundit Shqipëria ka vuajtur mungesën e fatit, a mendon se në këto ndeshje ky aspekt do të jetë përcaktues?

Patjetër, futbolli është i lidhur ngushtë me pjesën e fatit dhe gjithmonë duhet ta kesh në anën tënde për të marrë maksimumin. Duhet të jesh në kohën dhe vendin e duhure për të qenë vendimtar dhe për të bërë mirë, por duhet të besojmë se do bëjmë të gjithë më të mirën në këto dy ndeshje që të përmbushin objektivat që kemi.

Izraeli dhe Islanda, dy kundërshtarët e radhës, si janë pritshmëritë?

Janë dy skuadra të forta. Natyrisht fokusi për momentin është te Izraeli dhe është kundërshtarë cilësor. Ne kemi kohë për t’u përgatitur dhe duhet të japim të gjithë më të mirën që të marrim pikët që na duhen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco