VIDEO/ Ndeshje e 'çmendur' në Francë: Nëntë gola, tre kartonë të kuq dhe një ndërprerje për shkak të kërcënimeve ndaj arbitrit

VIDEO/ Ndeshje e 'çmendur' në Francë: Nëntë gola, tre kartonë të kuq dhe një ndërprerje për shkak të kërcënimeve ndaj arbitrit

10:04, 13/09/2022

Futbollistët e Metz dhe Guingamp zhvilluan një sfidë të pabesueshme në javën e tetë të ligës së dytë franceze.

Ishte një ndeshje me nëntë gola, tre kartonë të kuq, pesë kartonë të verdhë dhe një ndërprerje prej 25 minutash për shkak të trazirave të tifozëve.

Në fund miqtë fituan me rezultatin 6-3 pasi Metz mbeti me 8 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq, të tre lojtarëve.

Ndeshja nisi mirë për vendasit. Metz kaloi në avantazh në minutën e 2-të pas autogolit të Vincent Manceau. Megjithatë, Jeremy Livolant barazoi nga pika e bardhë e penalltisë pesë minuta më vonë. Nuk duhej të prisnim shumë për një gol tjetër, teksa në minutën e 10-të Ablie Jallow shënoi për 2-1 dhe në minutën e 16-të sulmuesi gambian shënoi golin e tretë për Metz-in.

Pas katër golave ​​në 16 minutat e para, dukej se vendasit do të dilnin me pikë të plota nga kjo sfidë, por më pas nisi një seri marrëzish të pabesueshme nga lojtarët e Metz-it.

Në minutën e 31-të mbrojtësi vendas Kiki Kouyate mori karton të verdhë, por më pas i hodhi diçka arbitrit dhe për këtë u përjashtua nga loja. Guingamp shkurtoi diferencën në 3-2 me një lojtar më shumë në minutën e 45-të dhe golin e shënoi Stephen Quemper.

Vetëm dy minuta më vonë, edhe portieri vendas Alexandre Oukidja u ndëshkua me të kuqe, pasi shkaktoi një faull brenda zonës. Gaetan Courtet gjuajti mirë nga penalltia për 3-3 dhe një rikthim të madh për mysafirët.

Në minutën e 56-të vendasit mbetën pa lojtarin e tretë. Për shkak të një ndërhyrje të ashpër dhe të rrezikshme, Jean Jacques Danley u ndëshkua me karton të kuq.

Vetëm dy minuta më vonë, loja u ndërpre. Gjyqtari Pierre Gaillouste ndërpreu lojën dhe dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes. Fillimisht nuk ishte e qartë se çfarë ndodhi, por më vonë u zbulua se një tifoz u ngjit në gardh dhe kërcënoi arbitrin. Pushimi zgjati 25 minuta dhe më pas ndeshja vazhdoi 11 me 8.

Guingamp shfrytëzoi avantazhin e madh numerik në fushë duke shënuar edhe tre gola të tjerë deri në fund të ndeshjes dhe shënues ishin Dylan Louiserre (69), Warren Tchimbembe (85) dhe Jeremy Livolant (88). Të tre golat ishin të mrekullueshëm, Louiserre dhe Tchimbembe shënuan nga jashtë zonës dhe Livolant shënoi nga një goditje dënimi.

Me këtë fitore, Guingamp u ngjit në vendin e gjashtë me 13 pikë, tre më pak se lideri Sochaux. Metz është i teti me 11 pikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco