‘Objektivi u arrit në Tiranë’/Një titullar ndahet me Romën, e zyrtarizon Inter

‘Objektivi u arrit në Tiranë’/Një titullar ndahet me Romën, e zyrtarizon Inter

11:35, 02/07/2022

Henrikh Mkhitaryan ka zyrtarizuar largimin nga Roma me anë të një postimi emocionues në rrjetet sociale. 33-vjeçari armen, pjesë e klubit italian prej vitit 2019, nuk rinovoi dhe do të kalojë tek Interi si lojtar i lirë.

Image

Aventura e bukur me verdhekuqtë përfundoi me fitimin e Conference League në finalen e 25 majit ndaj Feyenoordit në “Air Albania”, Tiranë. Mesfushori ofensiv nuk i kurseu fjalët e bukura edhe për Jose Mourinhon.

“Të dashur tifozë verdhekuq. Roma është realisht një klub unik. Që nga dita e parë që erdha këtu e deri në finalen e Conference League dhe më tej, mbështetja juaj ka qenë e jashtëzakonshme dhe unë do të jem gjithmonë shumë krenar për të.

Kur e vesha për herë të parë këtë fanellë, kisha një synim: ta bëj këtë klub të fitojë dhe të gëzoj tifozët fantastikë: objektiv i arritur në Tiranë! Ai triumf ishte përfundimi i përsosur për 3 vitet e kaluara te Roma.

Tani është koha për të thënë lamtumirë. Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që punojnë në klub për marrëdhënien e veçantë të ndërtuar së bashku ndër vite.

Një falënderim i madh për stafin tonë teknik dhe në veçanti për z. Mourinho, për besimin dhe vëmendjen ndaj meje dhe për motivimet e jashtëzakonshme që më dha si lojtar.

Image

Kam dhënë gjithçka për Romën brenda dhe jashtë fushës. Ishte një nder i madh të luaja këtu dhe nuk do t’i harroj kurrë momentet e mrekullueshme që patëm së bashku.

Ky klub dhe qyteti i përjetshëm do të mbeten përgjithmonë në zemrën time. Faleminderit”, shkruan fantazisti armen, i cili do të vazhdojë karrierën tek skuadra e Simone Inzaghit në Milanon zikaltër.

Interi ka zyrtarizuar afrimin e tij me anë të një postimi në faqen zyrtare. Mkhitaryan ka firmosur deri në 2024 me nënkampionët e Italisë, kontratë nga e cila do të përfitojë 3.3 milionë euro neto në sezon.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco