Magjia Inzaghi, statistika më të mira se Antonio Conte me Interin

Magjia Inzaghi, statistika më të mira se Antonio Conte me Interin

13:03, 23/09/2021

Ashtu si në fushë me Lukaku dhe Hakimi, edhe “fantazma” e Contes në stol mbetet e rëndë për zikaltrit. Por, shpejt për ta kthyer faqen (pa harruar) kanë menduar të tjerët. Interi mbetet, lojtarët shkojnë e vijnë. Edhe trajnerët. Krahasimet vlejnë shumë në futboll. Starti i sezonit aktual, i përqasur me të kaluarin, ku u fitua titulli pas 11 vitesh, është të paktën befasues.

Edhe nëse numrat duhet të trajtohen me kujdes ekstrem. Conte tashmë është provuar të jetë një ndriçues dhe ndikues i madh te skuadrat që drejton. Inzaghi është në përvojën e tij të parë me një skuadër titulli. Dhe disa dallime kërkohen, gjithashtu në nivelin kalendarik.

Siç ka theksuar vetë Inzaghi, pasi kishin metabolizuar zhgënjimin për largimin e tri kolonave të titullit (Conte-Lukaku-Hakimi), tifozët i dhanë mbështetjen maksimale ekipit. I cili, nga ana tjetër e ka merituar këtë shtytje. 13 pikë nga 15 të mundshmet, me 18 gola të shënuar dhe 5 të pësuar, janë një nisje më e mirë se sezonin e kaluar. Pas 5 javësh kampionat, grupi Conte ishte në fakt në kuotën e 10 pikëve, kishte shënuar 5 gola më pak (13, me 5 golashënues të ndryshëm, kundër 11 aktualëve) dhe kishte pësuar më shumë (8 gola).

Sidoqoftë, duhet të theksohet se tekniku nga Lecce ishte shtrënguar të luante një futboll që pak i përket atij dhe brenda një muaji do ta kthente Interin në strukturën më solide, duke “bluajtur” fitoret dhe pikët. Pa harruar se kalendari fillestar ishte më pak i butë se ai aktual. Nuk është rastësi që 5 pikët e lëna në rrugë një vit më parë duhet t’i ngarkohen Lazios (1-1 në Olimpico) dhe Milanit (1-2 në derbin “shtëpiak”).

Sidoqoftë, më parë, Interi kishte bërë një përpjekje të tmerrshme edhe në “San Siro” kundër Fiorentinës, duke fituar 4-3, pasi ishte dy herë në disavantazh. Në javën e gjashtë dhe të shtatë pati barazime kundër Atalantës dhe Parmës. 2-2 i 31 tetorit kundër emilianëve, ndër të tjera, përkoi me herën e fundit në të cilën një kundërshtar mori pikë në kalanë zikaltër. Nga 4-2 kundër Torinos (një përmbysje tjetër) më 22 nëntor, Interi nuk ka shikuar kurrë mbrapa, e tejkaloi Milanin në janar dhe seria e 18 fitoreve në shtëpi është ende e hapur.

 

Krahasimi me Interin e parë të Contes është gjithashtu interesant. Si zakonisht, puna e Antonio është e shpejtë. Pavarësisht të njëjtit Milan dhe Lazio në 5 javët e para, por të nisura nga tre kundërshtarë të butë në fillim, në sezonin 2019-2020 kishte 15 pikë në këtë moment të kampionatit; 10 gola të shënuar (6 golashënues) dhe vetëm një gol të pësuar (Joao Pedro, në 2-1 ndaj Cagliari). Triumfi i pragmatizmit solli në mënyrë të pashmangshme kreun e përkohshëm të renditjes, por nuk ishte i mjaftueshëm për të goditur objektivin e madh.

Dy përplasjet direkte, të humbura me Juven, ishin vendimtare, sepse kundër emrave të tjerë të mëdhenj si Milani dhe Napoli, trajneri Conte pati dominim të qartë. Morali? Jemi ende herët për ta gjykuar Inzaghi, përplasjet me rivalët për titull nuk kanë ardhur ende. Të shtunën, si “meze” duhet marrë Atalanta. Pas pushimit (kualifikueseve të kombëtareve), Lazio, Juve, Milan dhe Napoli brenda një muaji do të jenë të mjaftueshëm për të kuptuar thellësinë aktuale të zikaltërve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco