Vllaznia mposht Skënderbeun në Korçë dhe merr kryesimin e Superiores

Vllaznia mposht Skënderbeun në Korçë dhe merr kryesimin e Superiores

18:58, 08/11/2020

Pas fitores bindëse në javën e parë ndaj Apolonisë, Vllaznia ia ka dalë të marrë një tjetër 3-pikësh, këtë herë në Korçë përballë Skënderbeut vendas dhe të ngjitet në krye të renditjes si e vetmja skuadër me 6 pikë të plota.

Kuqeblutë e drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric nuk e patën aspak të lehtë në Korçë, pasi vendasit vraponin shumë dhe bënin një presing mbytës, duke penguar manovrën sulmuese të shkodranëve.

Shkëndijat e para i dhanë pikërisht djemtë e drejtuar nga Julian Ahmataj, që gjithsesi nuk kishin eksperiencën e duhur për t’u shfaqur kërcënues në portën shkodrane, ndërsa goli i parë i Vllaznisë erdhi në minutën e 33-të.

Një top i spostuar nga Isaevski nga e majta në të djathtë për Krujën, në dukje pa pretendime, u shndërrua në një pasim “kyç”, pasi numri 14 i shkodranëve shërbeu menjëherë për sulmuesin boshnjak Haris Dilaver, i cili gjuajti saktë dhe mposhti Dajsinanin.

Tre minuta para fundit të pjesës së parë, shkodranët kombinuan bukur në gjysmëfushën mike dhe fantazisti brazilian Da Silva u nis u vetëm me portierin Dajsinani, të cilin e dribloi bukur dhe shënoi edhe golin e dytë për Vllazninë.

Reagimi i Skënderbeut ishte i vakët, me disa tentativa që nuk sollën asnjëherë kërcënim serioz për portierin shkodran Zogovic, ndërsa nga ana tjetër kuqeblutë krijuan edhe raste të tjera shënimi, por shpërdoruan dhe rezultati mbeti i pandryshuar.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi triumfin 0-2 të Vllaznisë, që pas dy javëve të para kryeson me 6 pikë të plota, teksa ka shënuar 4 gola dhe nuk ka pësuar ende asnjë, duke treguar se do të jetë një pretendente këtë sezon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco