Messi synon të thyejë rekordin historik të Pele, ja edhe sa gola i duhen

Messi synon të thyejë rekordin historik të Pele, ja edhe sa gola i duhen

22:12, 08/10/2019

Lionel Messi është në rrugën e duhur për të thyer një tjetër rekord, i cili ka jetuar gjatë në botën e futbollit dhe shumë lojtarë e kanë pasur të pamundur për ta arritur.

Janë 643 golat që ka shënuar Pele me fanellën e Santosit nga vitet 1956 deri në vitin 1974.

Askush në historinë e futbollit nuk ka pretenduar që të thyejë rekordin e Pelesë për gola me të njëjtën skuadër deri sa u shfaq Leo Messi.

I vetmi që iu afrua Pelesë ishte Gerd Myler, i cili arriti të shënonte 565 gola me fanellën e Bajernit të Mynihut.

Pele qëndron në majën e “Olimpit” si një nga sulmuesit më të fortë të historisë.

Për shumë vite me radhë rekordi i tij nuk kërcënohej nga askush, por në vitet e fundit është shfaqur Messi, i cili pak nga pak po thyente rekorde dhe nga të gjithë po shihej si lojtari më i mirë i historisë së futbollit.

Messi është sulmuesi që më së tepër u është afruar golave të Pelesë.

Deri në këto momente ka 604 gola me fanellën e Barcelonës dhe i duhen 39 të tjerë për të barazuar Pelenë dhe 40 për ta parakaluar.

Messi është një makineri golash, që në 10 sezonet e fundit ka arritur të shënojë patjetër nga 40 gola. Nëse do të konfirmohen edhe këtë vit këto shifra, atëherë rekordi i Pelesë e ka jetën të shkurtër dhe do të thyhet që në këtë sezon.

Për të arritur deri këtu, argjentinasi ka arritur të shënojë 420 gola në La Liga, 112 në Ligën e Kampionëve, 51 në Kupën e Mbretit, 13 në Superkupën e Spanjës, 5 në Botërorët e klubeve dhe 3 në Superkupën e Europës.

Për të shënuar 604 gola i janë dashur 691 ndeshje, çka do të thotë se ai shënon një gol në 1.14 ndeshje. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco