Ndryshim brezash/ Legjenda e Bayernit kandidat për president

Ndryshim brezash/ Legjenda e Bayernit kandidat për president

09:49, 22/11/2018

Uli Hoeness ka thënë gjithmonë se Bayern është një familje e madhe.

Presidenti i bavarezëve, kampion bote me Gjermaninë në 1974, ishte në krye të klubit nga 2009 deri në 2014. Pasi përfundoi në burg për evazion fiskal ai dha dorëheqjen, por gjithsesi u rikthye të marrë postin e tij pas 21 muajsh, kur mbaroi dhe dënimi i tij.

Tani, si në të gjithë familjet, vitet kalojnë dhe fëmijët rriten. Siç raporton “Bild”, tek skuadra më e titulluar gjermane do të ketë një ndryshim brezash, dhe në vend të Hoeness, pritet të jetë një tjetër i madh.

Bëhet fjalë për as më pak e as më shumë, por Oliver Kahn. Ish-i Bayernit dhe i Gjermanisë konsiderohet si favoriti kryesor për të marrë presidencën e klubit, ku ka luajtur si portier nga viti 1994 deri në tërheqjen e tij, në vitin 2008.

Ish-kapiten, lider dhe me një sukses të jashtëzakonshëm, Kahn do të ishte një zgjedhje perfekte, dhe gjithashtu duke respektuar traditën e ekipit, me ish-lojtarët që zgjidhen për të drejtuar klubin.

Nuk është rastësi, që president nderi është Kaiseri, Franz Beckenbauer, dhe një nga drejtuesit kryesorë është Karl-Heinz Rummenigge.

Për momentin është vetëm një hipotezë, të paktën deri më datë 30 nëntor, ditë kur zhvillohet dhe asambleja e ortakëve të Bayern, ku dhe Hoeness pritet të zbardhë të ardhmen e tij.

Përveç mbështetjes së Hoeness, Kahn do ketë mbështetjen e një tjetër legjende të bavarezëve, Lothar Matthaus. Pavarësisht se ish-mesfushori, i cili ka fituar dhe “Topin e Artë” në vitin 1990, nuk ka një rol zyrtar në klub, ka peshë me fjalët e tij.

Zgjedhja e Oliver Kahn do të ishte e mirëpritur nga shumë tifozë të Bayernit kudo në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco