Cungu: Unë besoj te mrekullia, do ta tentojmë

Cungu: Unë besoj te mrekullia, do ta tentojmë

23:55, 15/08/2018

Një disfatë me shifrat 5-2 është gjithnjë e vështirë për t’u përmbysur, megjithatë te Kukësi besojnë se mund ta kthejnë misionin thuajse të pamundur në një realitet të prekshëm dhe më shumë se të gjithë beson trajneri Armando Cungu. Tekniku shkodran e mbështet optimizmin e tij te pikat pozitive që dalloi në sfidën e pare.

“Normalisht që kemi besim për ndeshjen. Nuk vjen rastësisht ky besim, por vjen duke pasur parasysh edhe forcën e ekipit dhe seriozitetin e djemve gjatë gjithë javës në stërvitje.

Nuk ka një formulë për të triumfuar përballë Torpedos, është e thjeshtë, skuadra duhet të sulmojë që në fillim, por kësaj here duke mos u shpërqendruar në mbrojtje.

Futbolli ka treguar që mund të përmbyset çdo rezultat, për më tepër që ky besim na vjen po të kemi parasysh edhe ndeshjen e parë, ku përtej golave të pësuar ju jeni dëshmitar që Kukësi ka krijuar shumë raste shënimi, çka do të thotë se kundërshtari ka dobësitë e veta dhe mundësitë janë reale për ta goditur. Na lind e drejta legjitime që ta provojmë nesër, nuk është vonë për ta provuar dhe nuk mund të na ndali askush për ta bërë këtë gjë. Shpresojmë që pse jo të bëhet edhe nesër (sot) mrekullia dhe të japim edhe ne një sinjal tjetër besueshmërie që rezultatet edhe mund të kthehen”.

Tekniku 45-vjeçar ka një kritikë edhe për tifozët, të cilët nuk e kanë mbështetur Kukësin ashtu siç e meriton dhe u bën një tjetër apel për të qenë në stadium kundër gjeorgjianëve. Cungu sapo e ka nisur përvojën e tij të dytë te blutë dhe ka ndërmend  të qëndrojë gjatë në drejtimin e nënkampionëve.

Ndërkohë drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, sqaron çështjen Frashëri, ndërsa në lidhje me lojtarët të cilëve u përfundon kontrata pas Europës, ai rithekson se me ta do të bisedohet në përfundim të takimit me Torpedon.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco