Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (VUSH) ka dalë me një deklaratë zyrtare dhe të prerë publike, lidhur me zhvillimet më të fundit që prekin ideologjinë gjinore në vend, duke u ndalur specifikisht te terapia hormonale që pritet të lejohet pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).
Përmes reagimit, Komiteti Ekzekutiv i VUSH-it shpreh shqetësimin e thellë se familja tradicionale po cenohet përmes këtyre nismave.
Në deklaratën e saj, Vëllazëria Ungjillore thekson se mbrojtja e familjes,bazuar mbi vlerat biblike dhe legjislacionin shqiptar mbetet një vlerë themelore e shoqërisë, duke e konsideruar “marrëzi” tentativën për të ndryshuar identitetin biologjik e shpirtëror të njeriut.
“Bibla mëson se ekziston vetëm një Zot që është Krijuesi. Identiteti ynë i vërtetë, si meshkuj dhe femra, është dhënë nga Zoti. Nuk është vetëm marrëzi, por është dhe e pashpresë, të përpiqemi ta bëjmë veten ashtu siç Zoti nuk na krijoi që të jemi. Ne theksojmë se jemi plotësisht në mbështetje të vlerës dhe dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, si burra dhe gra,” thuhet në deklaratë.
Më tej, ky komunitet fetar nënvizon se Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë njeh pikërisht familjen tradicionale (burrë dhe grua), dhe se çdo qytetar ka të drejtën legjitime ta mbrojë këtë qëndrim publikisht.
“Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë nuk mbështet asnjë vepër e cila cenon zhvillimin e institucionit themelor të shoqërisë dhe kundërshton çdo propagandë e cila po tenton dhe manifeston në forma të ndryshme të denigrojë dhe shkatërrojë institucionin e familjes në kombin tonë”, thuhet në reagimin e Vëllazërisë Ungjillore.
© SYRI.net