Turistët dynden drejt Japonisë për t’u zhytur në rregullin e vendit. Por a e ka vrarë aftësinë e saj për të ndërmarrë rreziqe refuzimi për ta toleruar kaosin?
Nga Leo Lewis/
Shintoja, sashimi, kryqëzimi i Shibuyas dhe shungas janë të gjitha tërheqëse, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë t’i shpëtosh përfundimit se ajo për të cilën turistët udhëtojnë vërtet deri në Japoni është përkëdhelja qetësuese e një shoqërie funksionale.
Pushimet kanë të bëjnë me arratisjen dhe, në një botë gjithnjë e më të çrregullt, rregulli duket si liri. Premtimi i një strehe nga rrëmuja, si ajo konkrete, ashtu edhe ajo abstrakte, ushtron sot një joshje të vërtetë te të gjitha brezat. Por a po ofron Japonia shumë nga kjo e mirë?
Japonisë, natyrisht, i pëlqen të jetë e kundërta e çrregullimit dhe rrëmujës. Si në sipërfaqe, ashtu edhe në nivele më të thella, gjërat funksionojnë dhe ecin në kohë; shërbimi duket i sinqertë dhe jo i interesuar; vendi të jep përshtypjen se është i pastër dhe i sigurt, dhe të gjitha këto janë rezultat i një përpjekjeje të vazhdueshme shoqërore. Për ata që nuk e kanë këtë në vendet e tyre, funksionaliteti i Japonisë duket magjepsës.
Dhe është e lehtë të kuptohet pse Japonia, si mikpritëse e këtij strehimi nga rrëmuja, mund të ndihet e justifikuar për zgjedhjet e saj. Numri i vizitorëve është rritur nga më pak se 4 milionë në vit në mesin e viteve 1990, në gati 20 milionë një dekadë më parë, për të kaluar 40 milionë në vitin 2025, ndërsa dobësia e jenit ka qenë vetëm një faktor ndihmës. Sipas anketave, vitin e kaluar 96 për qind e turistëve u larguan “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur”.
Me çfarë? Një sondazh vjetor i qeverisë së Tokios, qytet përmes të cilit kalon më shumë se gjysma e vizitorëve në Japoni, tregoi se, në vitin 2025, tri gjërat që të huajt i vlerësonin më shumë ishin “njerëzit e sjellshëm”, “pastërtia” dhe “siguria”. Pak zhgënjyese për kulturën pop, që renditej vetëm në vendin e dymbëdhjetë.
Por kjo ka ardhur në mënyrë të pashmangshme me një kosto. Sondazhet globale mbi lumturinë, kënaqësinë me jetën dhe optimizmin tregojnë se japonezët janë dukshëm më pak të gëzuar se banorët e vendeve më të çrregullta që vijnë si turistë dhe admirojnë rregullin japonez.
Kërkimi i një rendi të vetëqëndrueshëm ka efektet e veta anësore. Aty ku ka funksionuar mirë, si te niveli i ulët i krimit, meriton vlerësim. Aty ku ka shkuar shumë larg, si te normat tepër të larta të dënimeve dhe gabimet e rënda gjyqësore, të shtyn të mendosh se çmimi i vënë mbi rregullin është i tepruar.
Instinkti kundër rrëmujës ka lënë gjurmë edhe më të thella në fusha ku Japonia duhet të veprojë me urgjencë. Në biznes, ai është shfaqur si shmangie e rrezikut, neveri ndaj përçarjes së rendit ekzistues dhe paragjykim kundër “shkatërrimit krijues”, tri pengesa për inovacionin. Papunësia masive shihej si një makth dhe kompanitë ndiheshin të detyruara ta shmangnin.
Në nivelin e sipërmarrjeve të reja, kapitali i rrezikut në Japoni ka shmangur dështimin, duke iu larguar logjikës së provës dhe gabimit mbi të cilën lulëzon industria e kapitalit sipërmarrës. Ndërsa në nivelin e kompanive të mëdha, hezitimi ndaj bashkimeve ka vonuar krijimin e kampionëve kombëtarë në një botë ku madhësia ka rëndësi.
Në politikë, ky instinkt ka ndihmuar në rrënjosjen e asaj që intelektuali YoichiFunabashi e quan “populizëm i qetësisë mendore”: prirja për të zbutur debatet publike sa herë që ato rrezikojnë të shndërrohen në përplasje të mëdha ideologjike.
Megjithatë, ndonëse mund të argumentohet se Japonia duhet t’i lejojë vetes pak më shumë rrëmujë, do të ishte marrëzi të dëshirohej çrregullimi për Japoninë apo për ndonjë vend tjetër. Po aq e qartë është se vende si SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë lejuar që rrëmuja të shkojë shumë larg, duke mbivlerësuar përçarjen dhe shkatërrimin krijues deri në pikën ku ato bëhen thjesht shkatërruese.
Ashtu si bankierët qendrorë kërkojnë një normë të dëshirueshme inflacioni, ose arbitrat e futbollit tolerojnë njëfarë tërheqjeje fanellash për të mbajtur lojën gjallë, në teori duhet të ekzistojë një “zonë e lejueshme” e rrëmujës: një nivel i mjaftueshëm për ta mbajtur një vend si Japonia të sigurt, të sjellshëm dhe të pastër, por edhe novator dhe të gatshëm për të marrë rreziqe.
Ndoshta nuk është rastësi që periudha më e gjatë e çrrëmujëzimit të Japonisë përkoi me deflacionin e saj të zgjatur dhe se mangësitë e mungesës së rrëmujës po bëhen më të dukshme pikërisht tani, kur inflacioni po rikthehet. Ka ardhur koha që Japonia të përqafojë pak inflacion të rrëmujës. / FT – Syri.net
© SYRI.net