Fshati Drenie në bashkinë Patos të Fierit po shkon gjithnjë e më shumë drejt braktisjes dhe izolimit. Shkak është bërë mungesa e investimeve në aksin rrugor 4 km që lidh fshatin Siqecë me Drenien, duke bërë që shumë familje të largohen nga zona.
Video Syri TV
Mungesa e investimeve në aksin rrugor 4 km që lidh fshatin Siqecë me Drenien, në bashkinë e Patosit, po sjell izolim dhe braktisje të zonës. Banorët thonë se rruga e shtruar dy vite më parë me rërë bituminoze është dëmtuar rëndë dhe në shumë segmente është mbushur me gropa, ndërsa mungojnë edhe kanalizimet anësore. Kjo situatë ka çuar drejt mbylljes edhe shkollën e fshatit, pasi prej 3 vitesh ka mungesë nxënësish. Për shkak të mungesës së perspektivës, shumë familje janë larguar drejt Fierit.
Rruga e amortizuar është problem edhe për fermerët, pasi po u pengon nxjerrjen e prodhimeve në treg, duke bërë që vaji i ullirit dhe produktet bujqësore të mbeten stok.
Sipas Bashkisë së Patosit, është ndërhyrë me mundësitë që kanë pasur, por segmenti kërkon investim serioz, ndaj do të kërkohet mbështetje nga FSHZH për rehabilitimin e plotë të rrugës Siqecë–Drenie.
© SYRI.net