Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, duke paralajmëruar qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt SHBA-së me viza turistike për të lindur dhe përdorin programin Medicaid për mbulimin e shpenzimeve mjekësore.
Në mesazhin e publikuar, ambasada thekson se raste të tilla sjellin kosto për taksapaguesit amerikanë dhe mund të ndikojnë në të drejtën e këtyre personave për të rinovuar vizat në të ardhmen.
“Shumë prindër shqiptarë me viza turistike udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me qëllim për të lindur atje dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar kujdesin mjekësor. Këto shpenzime u kalojnë taksapaguesve amerikanë, dhe ata prindër mund të mos kenë të drejtë t’i rinovojnë vizat e tyre në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Postimi është shoqëruar me hashtagun #securingusborders, në kuadër të mesazheve për respektimin e rregullave të emigracionit dhe kontrollin e kufijve të Shteteve të Bashkuara.

© SYRI.net