Mjekët po paralajmërojnë se numri i fëmijëve që mbyten në SHBA është rritur vitet e fundit, duke theksuar se reagimi i shpejtë mund të shpëtojë jetë.
“Kur ndodh mbytja, çdo sekondë ka rëndësi. Shpëtimi dhe reanimimi i menjëhershëm mund të bëjnë dallimin mes jetës, vdekjes ose një paaftësie të përhershme,” tha pediatri RohitShenoi.
Çdo vit mbyten rreth 4000–5000 amerikanë, por për fëmijët rreziku është shumë më i madh. Mbytja është shkaku kryesor i vdekjes për fëmijët 1–4 vjeç dhe një nga shkaqet kryesore për grupmoshën 5–14 vjeç. Shumica e rasteve te fëmijët e vegjël ndodhin në pishina.
Një nga tragjeditë më të njohura është ajo e familjes Leonard. Në vitin 1989, djali 21-muajsh i drejtuesit të rrjetit të supermarketeveStewLeonard u mbyt në një pishinë gjatë një feste familjare. Të gjithë mendonin se dikush tjetër po e mbikëqyrte fëmijën.
“Kur të gjithë mendojnë se po e shikon dikush tjetër, në fakt nuk po e shikon askush,” kujton nëna e tij, KimLeonard.
Pas humbjes së djalit, familja krijoi një fondacion që financon mësime noti dhe promovon sigurinë në ujë.
Pas dekadash rënieje, vdekjet nga mbytja tek fëmijët u rritën pas pandemisë COVID-19. Ekspertët e lidhin këtë me ndërprerjen e kurseve të notit, mungesën e rojeve të plazhit dhe shtimin e pishinave private. Megjithatë, të dhënat paraprake për vitin e kaluar tregojnë një ulje të lehtë.
Akademia Amerikane e Pediatrisë kërkon standarde më të forta sigurie, përfshirë gardhe rreth pishinave, jelekë shpëtimi dhe roje të trajnuara.
Ekspertët theksojnë se dy masat më efektive janë mësimet e notit që në moshë të vogël dhe mbikëqyrja e pandërprerë e fëmijëve pranë ujit. Prindërit këshillohen të mos përdorin telefonin, të mos lexojnë apo të shpërqendrohen kur fëmijët janë në pishinë ose pranë ujit.
“Gjithçka mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë,” paralajmëron StewLeonard. / Medicalxpress – Syri.net
© SYRI.net