Në Mirditë është përkujtuar 53 vjetori i revoltës së burgut të Spaçit, revoltë që tronditi Tiranën Zyrtare dhe u shtyp në mënyrë brutale. 4 të burgosur u dënuan me vdekje, 80 të tjerë u ridënuan. Një prej ish të burgosurve tha se edhe sot dridhet kur kujton brutalitetin e atij regjimi, teksa shprehen keqardhje që Shqipëria vijon të bëjë hapa pas edhe sot. Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal dhe të delegacionit të BE.
SYRI TV
53 vite pas Revoltës antikomuniste të Spaçit, në ish-kampin famëkeq të diktaturës u zhvilluan aktivitete përkujtimore në nder të të burgosurve politikë që u ngritën kundër regjimit komunist në maj të vitit 1973.
Në ceremoni morën pjesë ish-të përndjekur politikë, familjarë të viktimave, përfaqësues institucionesh shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe qytetarë që iu bashkuan homazheve për një nga simbolet më të forta të rezistencës ndaj diktaturës.
Revolta u shtyp brutalisht, teksa në përfundim të saj u dënuan me vdekje Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai, teksa 80 të tjerë morën ridënime.
Ardian Elezi, përfaqësues i një prej familjeve të përndjekura nga regjimi tha se Spaçi duhet të jetë një vend peligrinazhi si Prekazi në Kosovë, pasi në këtë vend u shënua qëndresë e pashembullt në emër të bashkimit kombëtar.
Ndërkohë aty si gjithmonë ishin edhe ish të burgosur që në këtë ferr kanë kaluar vite të tëra të tëra të jetës tyre, për mëkatin e vetëm se dëshën që për Shqipërinë dielli të lindte në Perëndim.
Në një foltore, pas një zgare hekuri që simbolizonte izolimin ata shprehen se ish të përndjekurit po nëpërkëmben, teksa kërkuan që shteti të kthejë vëmendjen nga kjo shtresë.
Drejtësi jop vetëm për ata që jetuan por dhe për familjet, e tyre. Ky ishte mesazhi që përcolli Ambasadori i BE në vendin tonë Silvio Gonzato.
“Këtu është një vend që simbolizon vuatjen e një populli për liri. Duhet drejtësi jo vetëm për ata që mbijetuan, por edhe për familjarët e atyre që humbën jetën. Duhet patjetër të ketë një vend ku të përkujtohen jeta dhe heroizmi i atyre që vuajtën dhe dhanë jetën për këtë Shqipëri që është sot”
Albert Melyshi Kryetari i Bashkisë Mirditë, tha se vuajtja e ish të përndjekurve nuk duhet harruar, teksa të rinjtë impovizuan një shfaqeje që kishte në thelb vuajtjen e ish të burgosurve politikë.
Në burgun e Spaçit kanë qenë rreth 2200 të dënuar, teksa sot gjallë janë rreth 30% e tyre.
© SYRI.net