Prej më shumë se 25 vitesh, në rrugët nacionale dhe lagjet e qytetit të Gjirokastër, Rushit Kusho nuk i është ndarë zanatit të gazetashitësit, duke mbetur një nga figurat e fundit që mban gjallë traditën e shtypit të shkruar në qytet.
Çdo ditë, me gazetat në dorë dhe me të njëjtin përkushtim si në fillimet e tij, ai përshkon rrugët e qytetit në kërkim të lexuesve, duke sjellë lajmin e printuar tek qytetarët që ende preferojnë letrën mbi ekranin.
Kusho tregon se vite më parë arrinte të shiste dhjetëra kopje gazetash në ditë, ndërsa sot ky numër është reduktuar ndjeshëm, duke zbritur në rreth 10 kopje në ditë.
Sipas tij, ndryshimi i madh vjen si pasojë e zhvendosjes së lexuesve drejt informacionit online dhe rrjeteve sociale.
Ai shton se në këtë rënie kanë ndikuar edhe vështirësitë ekonomike, si dhe largimi i banorëve nga qyteti, duke e bërë më të vështirë mbijetesën e shtypit të përditshëm në formën tradicionale.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve të kohës, Rushit Kusho vijon të ushtrojë profesionin me të njëjtin pasion. Ai thotë se gazetat sportive mbeten më të kërkuarat nga lexuesit e paktë që ende blejnë shtypin fizik, ndërsa klientët më besnikë janë kryesisht të moshuarit, të cilët nuk e kanë humbur zakonin e leximit të gazetës në letër.
Historia e tij pasqyron një realitet më të gjerë të ndryshimit të medias dhe mënyrës së informimit, ku shtypi i shkruar po zëvendësohet gradualisht nga platformat digjitale, por jo pa lënë pas një brez që e ka jetuar lajmin në faqet e gazetës.
© SYRI.net