Lajmi i fundit

LIVE/ Berisha në promovimin e librit Tirania e Buzëqeshjes - Një portret politik dhe psikologjik i Edi Ramës

Fermerët e Kallmit ngrenë alarmin: Bostani po na sjell vetëm humbje, rrezikohet të zhduket kultivimi vitin e ardhshëm

Fermerët e Kallmit ngrenë alarmin: Bostani po na sjell vetëm humbje, rrezikohet të zhduket kultivimi vitin e ardhshëm

10:38, 01/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Për të katërtin vit radhazi, fermerët e zonës së Kallmit, në njësinë administrative Mbrostar të bashkisë Fier, po përballen me humbje të mëdha nga kultivimi i bostanit. Ata thonë se mungesa e subvencioneve dhe çmimet tepër të ulëta të ofruara nga pikat e grumbullimit po e bëjnë të pamundur mbulimin e kostove të prodhimit.

Sipas fermerëve, në sezonet e mëparshme një kilogram bostan shitej me 200–250 lekë të vjetra, ndërsa këtë vit tregtarët dhe pikat e grumbullimit po ofrojnë vetëm 80 apo 100 lekë të vjetra për kilogram. Ky çmim, sipas tyre, nuk mbulon as shpenzimet për farën, plehrat kimike, ujin, naftën dhe krahun e punës, pasi këto mbulohen me 120 lekë për kilogram.

"Të gjithë dalim me humbje. Kemi investuar gjatë gjithë sezonit dhe në fund nuk arrijmë të rikuperojmë as shpenzimet", shprehen fermerët, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të mbështetur prodhimin vendas.

Për shkak të situatës së vështirë ekonomike, sipërfaqet e mbjella me bostan në zonën e Kallmit janë reduktuar ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara. Shumë fermerë kanë hequr dorë nga zgjerimi i kultivimit, ndërsa të tjerë po mendojnë ta braktisin plotësisht këtë kulturë bujqësore.

Fermerët e kultivimit të bostanit në Kallm të Fierit paralajmërojnë se, nëse edhe këtë sezon nuk arrijnë të sigurojnë të paktën mbulimin e shpenzimeve, vitin e ardhshëm nuk do të mbjellin më bostan.

"Po të vazhdojë kështu, nuk ia vlen të punojmë. Nëse nuk nxjerrim të paktën atë që kemi shpenzuar, vitin tjetër nuk do të kultivojmë më bostan", deklarojnë fermerët, duke ngritur alarmin për të ardhmen e kësaj kulture bujqësore në zonën e Kallmit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco