Eliminimi i kombëtares shqiptare në gjysmëfinalen e Play-Off-it për Botërorin, pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në Varshavë, ka sjellë jo vetëm zhgënjim, por edhe tensione të forta në qytetin e Fierit.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, një grup tifozësh fierakë, të revoltuar nga rezultati, kanë shpërthyer duke dëmtuar zbukurimet e vendosura në qendër të qytetit.
Sipas burimeve nga vendngjarja, dekorimet janë shkatërruar me mjete të forta, ndërsa situata ka qenë e tensionuar për disa minuta.
Ndërkohë, në një tjetër incident të ndodhur po në qytet, një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur në rrethrrotullimin e Sharrës.
LEXO EDHE: Humbje e dhimbshme në Varshavë, kuqezinjtë shpërdorojnë raste dhe përmbysen nga Polonia
Nuk dihet ende nëse ngjarja ka lidhje direkte me tensionet e krijuara pas ndeshjes.
Ironikisht, vetëm pak orë para sfidës, në qendër të Fierit ishte shpalosur një flamur gjigant kuqezi mbi një godinë, si simbol mbështetjeje për kombëtaren.
LEXO EDHE: Gjimshiti: Kishim rast për 2-0 dhe 2-1, Kombëtarja nuk e meritonte këtë eliminim
Një atmosferë festive që u zëvendësua shpejt nga zhgënjimi dhe zemërimi, pas humbjes që i preu rrugën Shqipërisë drejt një ëndrre botërore.
Autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e vandalizmit, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve për qetësi dhe shmangie të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
© SYRI.net