Pas 70 viteve shërbimi, ura lidhëse është totalisht e amortizuar; banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe ndërtim të një ure të re.
Ura e digës Çengelaj, ndërtuar mbi 70 vite më parë në Bashkinë Peqin, po përballet me dëmtime dhe deformime të konsiderueshme në të gjithë gjatësinë e saj, duke shkaktuar problematika serioze për lëvizjen e banorëve.
Ata shprehen se ndihen të rrezikuar çdo herë që kalojnë mbi të, dhe paralajmërojnë se shembja e saj mund të bllokojë dhjetra fshatra të zonës.
Megjithëse në hyrje të urës është vendosur një tabelë ndaluese për automjetet mbi 3.5 ton, shumë drejtues nuk e respektojnë këtë kufizim, duke krijuar kaos dhe rrezik shtesë për banorët.
Banorët theksojnë se përveç barrierës mbrojtëse në këmbët e urës, nuk janë bërë investime të tjera për mirëmbajtje apo rikonstruksion, edhe pse ura lidh dhjetra fshatra me pjesën tjetër të vendit.
Ata janë të detyruar të kalojnë disa herë në ditë mbi urë, duke ndjerë çdo moment rrezik për jetën e tyre.
Në rast shembjeje, qytetarët do të detyrohen të përdorin rrugën alternative Belsh–Cërrik–Papr, e cila do t’u kushtonte më shumë kohë dhe para.
Banorët kërkojnë një zgjidhje urgjente, qoftë me rehabilitimin e urës ekzistuese, qoftë me ndërtimin e një ure të re, për të siguruar kalimin e sigurt dhe për të mbrojtur jetën dhe pasuritë e tyre.
© SYRI.net