SYRI TV
Rruga e Lozhanit e cila po përdoret aktualisht si alternativë pas shembjes në aksin Librazhd Prrenjas është e dëmtuar dhe ka ndikuar në rritjen e kostos për të gjithë qytetarët që e përdorin këtë rrugë. Drejtuesit e mjeteve shprehen se dëmet janë të mëdha dhe se duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt për ndërhyrje në këtë aks.
Rruga e Lozhanit vijon të mbetet një sfidë për drejtuesit e mjeteve, të cilët çdo ditë përballen me vështirësi të shumta gjatë qarkullimit në këtë aks. Terreni malor, segmentet e ngushta dhe kthesat e forta e bëjnë lëvizjen të vështirë, ndërsa në disa pjesë të rrugës evidentohen dëmtime të asfaltit dhe zona me rrëshqitje dherash.
Një tjetër shqetësim mbetet amortizimi i automjeteve. Gropat dhe deformimet e rrugës ndikojnë në dëmtimin e mjeteve duke rritur nevojën për riparime dhe mirëmbajtje.
Drejtuesit kërkojnë ndërhyrje për përmirësimin e kushteve të rrugës, në mënyrë që lëvizja të jetë më e sigurt dhe më pak e kushtueshme për ta.
© SYRI.net