Edhe gjatë ditës së sotme, situata vijon të jetë kritike në zonën e Arave të Gurës, pikërisht në aksin nacional Librazhd–Prrenjas, ku hyjmë tashmë në ditën e gjashtë të bllokimit total të kalimit të automjeteve. Ditët e fundit, është vështirësuar edhe kalimi i këmbësorëve, duke çuar në izolimin e të gjithë banorëve të zonave përreth, si të Prrenjasit, ashtu edhe të fshatrave të Librazhdit, të cilët prej ditësh shprehin shqetësimin se ndihen të izoluar nga pjesa tjetër e vendit, raporton për Syri TV gazetarja Margarita Mëhillka.
Gjatë ditës së sotme ka nisur demontimi i urës në zonën e Dragostunjës. Struktura e saj u shkatërrua rëndë nga rrëshqitja dhe fundosja e tokës, ndërsa shkaqet e saj nuk janë përcaktuar ende në një raport zyrtar. Edhe pse studiuesit e gjeologjisë kanë dalë në terren, pritet përfundimi i të gjitha analizave.
Nga ana e banorëve duket se shpresat janë të pakta. Jashtë kamerave, ata shprehen se nuk ka nevojë të flasin, pasi nuk besojnë se fjalët e tyre do të sjellin ndonjë masë. Sipas tyre, asnjë përgjegjës nuk do të “vërë ujin në zjarr” për të rregulluar situatën. Kjo duket të jetë arsyeja kryesore pse nuk ka pasur ende protesta, megjithëse disa banorë kanë shprehur shqetësimin në media, duke theksuar mungesën e energjisë elektrike, vështirësitë për të udhëtuar drejt qyteteve si Librazhdi, Elbasani apo Tirana, si dhe pengesat për fëmijët që nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë.
Banorët kanë përdorur gjithashtu një rrugë alternative për automjetet, e cila i ka çuar drejtuesit deri në Hotolisht. Bllokimi kryesor është vetëm në zonën e Dragostunjës, kështu që automjetet janë drejtuar më pas në rrugën e vjetër Egnatia, duke lidhur fshatrat e Hotolishtit, Dardhës dhe Spatharit. Megjithatë, kjo rrugë është konsideruar nga ARRSH si e pasigurt dhe me stabilitet të ulët, pasi është shumë e ngushtë dhe vetëm njëkalimshme.
Edhe pse kalimi ka qenë i vështirë, rruga alternative ka qenë zgjidhja e vetme dhe lehtësimi i vetëm për drejtuesit që vijnë nga juglindja për të shkuar drejt Tiranës apo në spitalet më të afërta të zonës.
© SYRI.net