Nga Jonny Thomson – Big Think/
Të gjithë jemi filozofë. Jo në kuptimin "Çfarë mendon për 'Dy dogmat' e Kuinit?", por në kuptimin që të gjithë bëjmë filozofi.
Filozofia është praktikë e habisë dhe logjikës; e kureshtjes dhe vetëreflektimit; e debatit dhe meditimit; e kritikës dhe mbrojtjes së ideve. Të gjithë filozofojmë, por secili në mënyrën e vet.
Prandaj, pa asnjë rigorozitet shkencor, një tjetër tipar i dashur i filozofisë, po paraqes pesë mënyra të ndryshme për të qenë filozof. Kjo nuk është përfundimtare apo universale, por një mënyrë lozonjare për të reflektuar mbi mënyrën si pyesim dhe si mendojmë.
Cili arketip filozofik je ti?
Sfinksi
Arketipi: Sfinksi ndalonte udhëtarët jashtë Tebës dhe u bënte gjëegjëza si: "Çfarë ecën me katër këmbë në mëngjes, me dy në mesditë dhe me tre në mbrëmje?" Përgjigjja e gabuar do të thoshte vdekje.
Filozofi: Filozofi-Sfinks argumenton duke të pyetur vazhdimisht, duke sfiduar çdo pozicion. Versioni toksik të "gëlltit" nëse dështon. Versioni ndërtues është sokratik, pyetjet bëhen mundësi për të mësuar së bashku.
Në jetën e përditshme: Personi-Sfinks rrallë pohon diçka, por vë gjithçka në dyshim. Në darka, i vë të tjerët në siklet sepse nuk mban anë, ndërsa në njëfarë mënyre tall edhe të gjithë. Është bezdisës, por edhe tërheqës. Shpesh punon në mësimdhënie, terapi ose coaching, fusha ku qëllimi është të ndihmosh dikë të gjejë vetë përgjigjen, jo t'ia japësh gati.
Leviatani
Arketipi: Leviatani është një përbindësh deti që nxjerr zjarr dhe trazon oqeanet. Tomas Hobsi e përdori si simbol të një përbindëshi të madh të përbërë nga shumë individë të vegjël, një krijesë artificiale që vepron si një e vetme.
Filozofi: Filozofi-Leviatan ndërton sisteme të mëdha që synojnë të shpjegojnë gjithçka. Mendo për Aristotelin, Tomas Akuinasin, G. W. F. Hegelin ose Karl Marksin. Ata besojnë se sistemi i tyre mund të shpjegojë Zotin, moralin, të vërtetën dhe natyrën njerëzore.
Në jetën e përditshme: Ky person ka një kornizë mendimi që e përdor për gjithçka. Ka një ide qendrore, Zoti, dashuria, paraja, detyra ose krenaria, që shpjegon çdo veprim në çdo moment. Një sistem i vetëm sundon mbi të gjitha. Shpesh tërhiqet nga karriera në drejtësi, planifikim urban apo dizajn organizativ.
Kitsune
Arketipi: Në folklorin japonez, kitsune është një dhelpër që ndryshon formë, mund të shfaqet si grua, burrë, fëmijë apo pemë. Disa janë mashtruese, të tjera mësuese. Ato zbulojnë të vërteta përmes mashtrimit.
Filozofi: Filozofi-Kitsune përdor humor, paradoks dhe role të ndryshme. Soren Kirkegard shkruante me pseudonime që kundërshtonin njëri-tjetrin. Fridrih Niçe fliste shpesh me kundërthënie. Zhak Derrida dhe Riçard Rorti luanin me ironinë. Edhe Platoni shkruante pas "maskës" së Sokratit. Kitsune nuk u beson as sistemeve të mëdha, as sinqeritetit të plotë. Edhe kur akuzohet për nihilizëm, humori dhe këndvështrimet e tij bëjnë punë filozofike.
Në jetën e përditshme: Personi-Kitsune mund të thotë diçka tronditëse dhe, kur sfidohet, buzëqesh me një shkëlqim në sy. Është i vështirë për t'u kundërshtuar sepse ndryshon vazhdimisht këndvështrim. Duket sikur beson gjithçka dhe asgjë, por kurrë nuk duket sipërfaqësor. Shpesh punon në art, kritikë ose satirë. Është ai personi për të cilin të gjithë mendojnë: ose gjeni, ose krejt i paaftë.
Minotauri
Arketipi: Minotauri është gjysmënjeri, gjysmëbishë, i mbyllur në një labirint. Është brutal, por edhe i humbur e i munduar, një i jashtëm i detyruar të jetë përbindëshi.
Filozofi: Filozofi-Minotaur zhytet në vuajtjen njerëzore, vdekshmërinë dhe absurditetin. Ai nuk del nga labirinti, por krijon një shtëpi të errët brenda tij. Mendo për Bleiz Paskalin, Fjodor Dostojevskin, Martin Haidegerin, Zhan-Pol Sartrin dhe Albert Kamynë. Ata shkruajnë nga ankthi, nga thellësia e brendshme. Nuk ka përgjigje të qarta, vetëm pranim të realitetit të vështirë. Nëse dëgjon me kujdes, mund të dëgjosh Sizifin duke qeshur.
Në jetën e përditshme: Personi-Minotaur i ndien gjërat thellë dhe nuk shtiret. Nuk e bën dot "bisedën e lehtë", çdo bisedë kthehet në reflektim mbi jetën dhe kuptimin. Është shumë besnik në miqësi dhe mund të të shkruajë natën vonë për natyrën e vetmisë. Mban ditar. Shpesh shfaqet në momente presioni apo traume. Mund të punojë në kujdes paliativ, mjekësi urgjence apo këshillim për varësi. Siç thoshte Mishel de Montaini, ata e kanë vdekjen gjithmonë në gojë.
Garuda
Arketipi: Garuda është një shqiponjë e madhe në mitologjinë indiane, e lidhur me shikim të qartë dhe largimin e helmeve. Ajo fluturon lart dhe sheh strukturën e gjërave, sqaron, nuk mashtron.
Filozofi: Filozofi-Garuda nuk flet pa përcaktuar më parë termat. Ai është i përkushtuar ndaj qartësisë dhe saktësisë, duke shpërndarë probleme të rreme. Gotlob Frege, Bertrand Raselli, Ludvig Vitgenshtaini, Rudolf Karnapi dhe Uillard Van Orman Kuini janë Garuda. Po ashtu edhe Deivid Hjumi. Ata besojnë se shumica e problemeve filozofike janë ngatërresa gjuhësore ose logjike.
Në jetën e përditshme: Personi-Garuda pyet vazhdimisht: "Çfarë do të thuash me këtë?" Nuk duron paqartësinë apo metaforat që përdoren si argumente. Zakonisht nuk ka shumë durim për arsyetime emocionale. Nëse nuk mund të formalizohet, nuk ia vlen të debatohet. Shpesh punon në programim, drejtësi apo shkencë. Është personi që i kërkon ta lexojë email-in para se ta dërgosh.
Këto arketipe i gjen në çdo darkë, vend pune apo mbledhje familjare. Ato janë mënyra të të qenit në botë, po aq sa mënyra argumentimi. Shumica prej nesh jemi përzierje, pak Sfinks kur jemi të pasigurt, pak Minotaur natën vonë, pak Garuda kur lodhemi nga marrëzitë.
Po ti, me cilin ngjan më shumë?
© SYRI.net