Reshjet intensive të nëntorit të vitit të kaluar shkaktuan përmbytje të konsiderueshme në Pogradec, duke dëmtuar rëndë infrastrukturën lokale. Situata më kritike u regjistrua përgjatë lumit të Vërdovës, ku prurjet e larta të ujit shkatërruan mure mbajtëse dhe disa ura të përdorura nga banorët për lëvizjen e përditshme.
Përveç zonave përreth lumit, uji preku edhe një pjesë të rrugës unazore të qytetit, duke vështirësuar qarkullimin dhe rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët. Disa segmente të dëmtuara dhe ura mbi lumë vazhdojnë të jenë të parindërtuara, duke shqetësuar banorët.
Banorët theksojnë se kjo nuk është hera e parë që lumi del nga shtrati dhe kërkojnë ndërhyrje afatgjata për sistemimin e argjinaturës dhe përforcimin e strukturave mbrojtëse, për të parandaluar përsëritjen e situatës gjatë reshjeve intensive.
Bashkia ka premtuar ndërhyrje me fonde emergjence që deri më tani nuk janë dhënë, ndërkohë që banorët duhet të presin deri në zgjidhje të qëndrueshme.
© SYRI.net