Dita e Shën Valentinit sjell fluks në pikën kufitare Shqipëri–Kosovë

11:32, 14/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fundjava e përkuar me Ditën e të Dashuruarve, ka sjellë një fluks të madh automjetesh në të dyja anët e kufirit Shqipëri–Kosovë. Pikat kufitare të Morinës dhe Vërmicës po përballen me lëvizje të shtuar qytetarësh, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën dhe 14 Shkurtin përtej kufirit.

Fluksi më i lartë është regjistruar në pikën kufitare të Morinës, ku qindra qytetarë nga Kosova po udhëtojnë drejt Shqipërisë, kryesisht për të kaluar fundjavën në qytete dhe zona turistike malore. Ky fluks vijon edhe aktualisht. Në drejtimin tjetër, po ashtu ka lëvizje të konsiderueshme, me qytetarë nga Shqipëria që vizitojnë Prizrenin dhe qendra të tjera turistike në Kosovë për të festuar Shën Valentinin.

Autoritetet doganore në të dyja anët e kufirit po punojnë me të gjitha sportelet e hapura, duke zbatuar marrëveshjen për kalim pa kontrolle të detajuara për qytetarët e të dy vendeve. Kontrollet kryhen vetëm për automjetet me targa të huaja, ndërsa procedurat janë përshpejtuar për të shmangur radhët dhe pritjet e gjata.

Atmosfera festive dhe moti i favorshëm kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e lëvizjes, duke e kthyer këtë fundjavë në një nga periudhat më të ngarkuara të muajit shkurt në kufirin Shqipëri–Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco