Lumi Drino po përballet me një ndotje të rëndë mjedisore, duke u kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh dhe kanal shkarkimi për ujëra të zeza.
Prej kohësh, brigjet dhe shtrati i lumit janë pushtuar nga plehra të shumta, plastika, mbetje urbane dhe materiale të tjera, të cilat rrezikojnë seriozisht mjedisin dhe shëndetin e banorëve përreth.
Përveç mbetjeve të ngurta, në lumin Drino derdhen edhe ujëra të zeza, duke e përkeqësuar më tej situatën dhe duke krijuar ndotje të vazhdueshme. Pamjet e Syri.tv nga zona tregojnë një gjendje alarmante, ku lumi, dikur një nga pasuritë natyrore të qytetit, po degradohet dita-ditës.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për gjendjen e krijuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tyre, mungesa e kontrollit dhe e masave konkrete ka bërë që ndotja të vijojë pa asnjë pengesë.
Deri më tani, nuk raportohet për një ndërhyrje konkrete për pastrimin e shtratit të lumit apo për ndalimin e shkarkimeve të paligjshme.
Ndërkohë, ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se situata mund të ketë pasoja afatgjata për ekosistemin, bujqësinë dhe jetesën e komuniteteve që jetojnë përgjatë lumit.
Situata kërkon ndërhyrje urgjente, jo vetëm për pastrimin e menjëhershëm të zonës, por edhe për vendosjen e masave parandaluese që do të ndalojnë ndotjen e mëtejshme dhe do të rikthejnë lumin Drino në një aset të vërtetë natyror për Gjirokastrën.
© SYRI.net