Një muaj pas përmbytjeve nga lumi Vjosa, fermerët e Frakullës vijojnë të jenë pa verifikim të dëmeve dhe pa dëmshpërblim, ndërsa humbjet në bujqësi janë të mëdha. Përveç mungesës së reagimit institucional, ata përballen edhe me refuzimin e kompanive të sigurimit për të mbuluar dëmet nga fatkeqësitë natyrore.
Syri TV
Një muaj pas daljes nga shtrati të lumit Vjosa, pasojat e përmbytjeve në zonën e Frakullës vijojnë të jenë të rënda. Dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë dëmtuar, ndërsa institucionet përgjegjëse ende nuk kanë kryer verifikimin e dëmeve në terren. Përmbytjet kanë shkatërruar sera me luleshtrydhe, foragjere dhe prodhime të stinës, kryesisht në fshatrat Kashisht dhe Sheqë Musalalaj. Fermerët thonë se humbjet ekonomike janë të mëdha dhe se edhe këtë herë janë lënë në harresë.
Një tjetër shqetësim madhor mbetet mungesa e sigurimit bujqësor. Fermerët tregojnë se kompanitë e sigurimit refuzojnë të mbulojnë dëmet nga përmbytjet dhe fenomenet natyrore.
Në kushtet kur përmbytjet po kthehen në një fenomen të përsëritur, fermerët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për verifikim dhe dëmshpërblim.
© SYRI.net