Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës kundër Edi Ramës, qytetarët e kalojnë natën para kryeministrisë

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë reagon mbi gjuhën diskriminuese në 'BBVA5': Verbëria nuk është mallkim

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë reagon mbi gjuhën diskriminuese në 'BBVA5': Verbëria nuk është mallkim

20:50, 03/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shoqata reagon mbi gjuhën diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuara në Big Brother VIP Albania 5.

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH) dënoi me forcë gjuhën e përdorur ndaj konkurrentit të verbër Stenaldo Mëhilli në Big Brother VIP Albania 5, ku verbëria u etiketua si “dënim” apo “mallkim”, duke e konsideruar këtë një formë të qartë diskriminimi (ableizëm). SHVSH thekson se kjo sjellje jo vetëm cenon dinjitetin e individit, por normalizon paragjykimet dhe përjashtimin social të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht kur transmetohet në një format me audiencë masive.

Shoqata i kërkon produksionit të Big Brother VIP të marrë masa konkrete, përfshirë përjashtimin e menjëhershëm të pjesëmarrësve që përdorin gjuhë urrejtjeje; Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) të ndërhyjë dhe të trajtojë këtë shkelje në përputhje me Kodin e Transmetimit dhe standardet për përfaqësimin e personave me aftësi të kufizuara; dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z. Robert Gajda, të veprojë sipas ligjit dhe SHVSH do të depozitojë zyrtarisht një ankesë pranë këtij institucioni.

SHVSH shpreh solidaritet të plotë me Stenaldon dhe thekson se aftësia e kufizuar është pjesë e pandashme e diversitetit njerëzor. “Ne jemi të fortë, krenarë dhe të dukshëm. Do të vazhdojmë pa u ndalur për përpjekjet tona për më shumë barazi, dinjitet dhe një shoqëri që respekton dhe përfshin të gjithë anëtarët e saj,” theksohet në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Deklaratë për shtyp e SHVSH mbi gjuhën diskriminuese në Big Brother VIP Albania 5
Tiranë, 3 shkurt 2026
Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH) dënon me forcë gjuhën e përdorur ndaj konkurrentit të verbër, Stenaldo Mëhilli, ku verbëria u etiketua si “dënim” apo “mallkim” (“Ty të ka dënuar Zoti / të ka mallkuar Zoti”). Kjo është një formë e qartë diskriminimi (ableizëm) dhe një mesazh i rrezikshëm që cenon dinjitetin njerëzor dhe ushqen paragjykimet ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Verbëria nuk është “dënim”, nuk është “mallkim”, dhe nuk është arsye për poshtërim publik. Një gjuhë e tillë nuk sulmon vetëm një individ; ajo prek një komunitet të tërë dhe normalizon përjashtimin social, bullizmin dhe stigmatizimin—sidomos kur transmetohet në një format me audiencë masive.
1) Dënimi i veprimit
SHVSH kërkon:
• Distancim të qartë dhe publik nga kjo gjuhë diskriminuese;
• Ndjesë publike ndaj konkurrentit dhe komunitetit të personave me aftësi të kufizuara;
• Zbatim të menjëhershëm të rregullores dhe masave disiplinore për çdo gjuhë urrejtjeje/diskriminimi brenda formatit;
• Standard “zero tolerancë” ndaj çdo forme denigrimi që lidhet me aftësinë e kufizuar.
Kjo nuk është “lojë”, as “debat i nxehtë”: është shkelje e etikës njerëzore dhe e përgjegjësisë publike që duhet të mbajë çdo personazh televiziv dhe çdo produksion.
2) Mbështetja për lojën dhe dinjitetin e Stenaldos
SHVSH shpreh solidaritet dhe mbështetje të plotë për Stenaldon, i cili ka hyrë në këtë format me synimin për të konkurruar si i barabartë, pa kërkuar trajtim të veçantë dhe duke treguar se aftësia e kufizuar nuk e zbeh vlerën, karakterin dhe kapacitetin e një njeriu.
Pjesëmarrja e tij është një hap i rëndësishëm për përfaqësimin, dhe çdo tentativë për ta ulur me fjalë që e lidhin verbërinë me “dënim” është sulm ndaj dinjitetit dhe barazisë.
Thirrje për përgjegjësi publike
I bëjmë thirrje Top Channel dhe produksionit që ta trajtojnë këtë ngjarje me seriozitet maksimal: jo thjesht si incident, por si moment që kërkon qëndrim edukues, sqarim publik dhe garanci që gjuha diskriminuese nuk kthehet në “normë” të spektaklit.
SHVSH mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë për komunikim jo-diskriminues dhe ndërgjegjësim publik.
Jonit Ferhati
Kryetar, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH)
Top ChannelBig Brother VIP Albania Stenaldo Mëhilli

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco