Fshati Cengelaj në bashkinë e Peqinit është lënë i harruar nga shteti. Banorët e kësaj zone shprehen se investimet në zonë mungojnë, uji nuk ka, dhe rrugët janë të pashtruara. Ata thonë se rinia është larguar, ndërsa në fshat kanë ngelur vetëm pensionistë, të cilët e mbajnë veten vetëm me punët në bujqësi.
Banorët e fshatit Cengelaj në bashkinë Peqin, prej vitesh vuajnë mungesën e investimeve në zonë. Të lënë në harresë nga institucionet vendore, ata, edhe pse jemi në vitin 2026, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe rrugët, të cilat nuk janë shtruar asnjëherë. Kjo i ka detyruar ata të largohen në emigrim dhe të braktisin shtëpitë. Sipas të moshuarve të zonës, vështirësitë e jetesës vetëm janë të shumta, por ata nuk mund t’i mbajnë fëmijët në një vend që nuk ofron mundësi punësimi apo të ardhmeje, ndaj në zonë kanë mbetur vetëm të moshuar. Ata shprehen se e vetmja mënyrë me të cilën mbajnë jetesën është puna në bujqësi.
Banorët thonë se uji i pijshëm mungon dhe ata janë detyruar të hapin vete puse në oborret e tyre.
Një problematikë tjetër në zonë është rruga, e cila, sa herë bien reshje shiu, bëhet e pakalueshme, ndërsa pusetat janë pa kapakë prej kohësh. Banorët thonë për Syri TV se janë lënë në harresë totale nga shteti dhe bëjnë thirrje që të merret masa për fshatin.
© SYRI.net