Kushtet e motit me temperatura nën zero kanë sjellë problematika të kufizuara në Qarkun Korçë, kryesisht në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë natës nuk janë regjistruar reshje në akset rrugore të Qarkut Korçë, por temperaturat nën zero kanë krijuar nevojën për ndërhyrje me kripë në disa segmente rrugore.
Në aksin Maliq–Kufi Gramsh, vijojnë problematikat me aluvione balte nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit, që mbeten shqetësuese për sigurinë e qarkullimit.
Në disa segmente rrugore rekomandohet përdorimi i gomave dimërore, ndërsa në akset e tjera nuk raportohen bllokime, por situata vijon të monitorohet për shkak të rrezikut nga ngricat.
Në drejtim të furnizimit me energji elektrike, raportohen 3 fiderë pjesërisht të stakuar, duke lënë pa energji një numër të kufizuar abonentësh në zonat e Maliqit, Pogradecit dhe Gjançit. Ndërprerjet, edhe pse të pjesshme, vijojnë prej orëve të para të mëngjesit.
Ndërkohë, çarja e argjinaturës së lumit Devoll mbetet ende e hapur, ndërsa puna për mbylljen e saj vijon. Situata në këtë zonë mbetet nën vëzhgim për shkak të rrezikut që paraqet në rast të rritjes së prurjeve.
Nga bashkitë e qarkut nuk janë raportuar problematika të reja, por kushtet e motit dhe infrastruktura problematike mbeten faktorë rreziku për ditët në vijim.
© SYRI.net