Zona e ish-kënetës në Durrës ndodhet ende nën pushtetin e ujit për të pestën ditë me radhë. Pavarësisht ‘shoë-ut’ në rrjetet sociale të kryetarës së Bashkisë, Emirjana Sako për funksionimin e e hidrovorëve, realiteti në terren është krejtësisht ndryshe. Ndërkohë dëme të mëdha kanë pësuar edhe banorët e shumë fshatrave në Sukth, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Erzen
Nga SYRI TV
Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga përmbytja e Durrësit, uji ende nuk është larguar nga banesat në zonën e ish-Kënetës. Pamjet dëshmojnë realitetin e trishtë të dhjetëra familjeve në këtë zonë, që ende përballen me ujin që nuk u është larguar nga shtëpitë e tyre.
Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako publikon pamje të funksionimit të 2 hidrovorëve, por realiteti është krejt tjetër, pasi situata nuk ka ndryshuar aspak.
Pasojat e rënda të përmbytjeve ndihen ende në Sukth. Reshjet intensive të ditëve të fundit dhe prurjet e shtuara të lumit Erzen shtuan problematikat në shumë fshatra. Në mes të kësaj situate të vështirë, banorët shprehen se dëmet në banesat e tyre janë të mëdha, ndërsa thonë se rrezikun e ndjejnë çdo ditë.
Përmbytjet në të gjithë Durrësin vijnë si pasojë e mos funksionimit të hidrovorit, pavarësisht milionave të investuara për këtë vepër. Gjithashtu mospastrimi i 14 kanaleve sekondare, sollën një katastrofë të tillë, me pasoja shumë të rënda për qytetarët
© SYRI.net