SYRI TV/ Liqeni i Kukësit drejt kuotës maksimale, rrezik shkarkimesh në Fierzë, alarm për Drinin

17:54, 10/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Për shkak të reshjeve të shumta Liqeni i Fierzës ka arritur në kuotën 290 metra dhe brenda 2 ditëve mund të shkojë në nivelin e tij maksimal prej 296 metrash. Kjo situatë ka rritur shqetësimet për rrezikun e shkarkimeve dhe efektin domino që ato do të kenë në të gjithë kaskadën e Drinit.

Nga SYRI TV

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë veriun e vendit gjatë ditëve të fundit po e çojnë me shpejtësi drejt mbushjes maksimale Liqenin e Kukësit, ujëmbledhësin më të madh në Shqipëri. Me ritmet aktuale të prurjeve, niveli i ujit po i afrohet kuotës maksimale, duke rritur ndjeshëm mundësinë e shkarkimeve të detyruara nga diga e Fierzës.

Sipas të dhënave teknike, vetëm në katër ditë niveli i ujit në liqen është rritur me rreth 11 metra, ndërsa prurjet në lumin Drin janë shumëfishuar. Nga 260 metra kub për sekondë para reshjeve, aktualisht prurjet kanë arritur në 1200 metra kub për sekondë në HEC Fierzë, një fluks që ushtron presion të vazhdueshëm mbi rezervuarin.

Niveli aktual i ujit në Liqenin e Kukësit:

HEC Fierzë: 290.8 metra

Niveli maksimal: 296 metra

Me këtë trend, ekspertët paralajmërojnë se brenda dy ditëve mund të arrihet kuota maksimale e ujit, çka do të impononte nevojën për menaxhim të kontrolluar të shkarkimeve për të garantuar sigurinë e digës. Fierzë, nyja kyçe e Kaskadës së Drinit, ka një rol vendimtar edhe për dy hidrocentralet e tjera në vijim, atë të Komanit dhe Vaut të Dejës.

Çdo shkarkim i shtuar nga Fierzë do të transmetohej menjëherë në këto diga, duke krijuar një efekt domino në të gjithë kaskadën. Rritja e menjëhershme e prurjeve në Koman dhe Vaun e Dejës do të rriste ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në zonat poshtë digave, veçanërisht në zonat e Nënshkodrës, të cilat historikisht janë të ekspozuara ndaj përmbytjeve në raste të tilla.

Ndërkohë, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët e HEC-it të Fierzës dhe strukturat përgjegjëse, me qëllim balancimin midis ruajtjes së sigurisë së digave, prodhimit të energjisë elektrike dhe minimizimit të rrezikut për përmbytje në zonat e ulëta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco